Kryeministri Sali Berisha do të marrë pjesë sot në Kongresin Statutor të Partisë Popullore Europiane dhe Samitin e kryetarëve të shteteve dhe qeverive të EPP që zhvillohen në Rumani.

Kongresi i 21-të i organizmit politik më të madh europian do të mbahet më datë 17 dhe 18 tetor në Bukuresht dhe kryeministri Berisha do mbajë fjalën e tij në ditën e dytë të saj, me temë “Përgjigja është MË SHUME EUROPË?”. Në kongres do të përditësohet Platforma Bazë e EPP-së, si dhe do të zgjidhet Presidenti i ri i saj.

Kryeministri do të marrë pjese në samitin e krerëve të shteteve dhe qeverive anëtare në EPP-së, si dhe do të ketë takime me liderë europianë, mbi zhvillimet e sfidat e sotme në Europë, në kontekstin e krizës ekonomike e financiare, si dhe mbi zhvillimet në Shqipëri dhe në rajon.

Kryeministri Berisha do të marrë pjesë gjithashtu, në aktivitetet e organizuara nga ambasada shqiptare në Bukuresht, me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë. Berisha pritet të zhvillojë një takim me përfaqësues të familjeve të vjetra, anëtare të delegacionit të komunitetit të shqiptarëve të Rumanisë që morën pjesë në shpalljen e pavarësisë në Vlorë, si dhe të atyre që firmosën deklaratën e pavarësisë.

Po ashtu, ai do të jetë i pranishëm në ceremoninë e zbulimit të pllakës përkujtimore tek Kisha “Sf. Nicolae Dintr-o Zi”, që ka qenë në shërbim të shqiptareve në vitet 1911-1945, ku ka dhënë meshën në gjuhën shqipe Fan S. Noli.

(su.fu/Shqiptarja.com)