KRUMË (HAS) - Pas Tropojës, kryeministri Sali Berisha zhvilloi në Krumë të Hasit mitingun elektoral të PD dhe paraqitur kandidatët e kësaj partie në këtë zonë për zgjedhjet e 23 qershorit. Mitingu ka nisur në orën 13:00. Berisha ka analizuar situatën e vendit në infrastrukturë, arsim, paga dhe pensione, bujqësi, duke përmendur se infrastuktura e sotme e Hasit ishte një ëndërr, se universitet sot janë të hapura, se bujqësia shënon një kapitull të ri. Por ka sulmuar edhe kreun e opozitës, që "mbart modelin, ku gjithçka i duket rrënim dhe shkatërrim".   

PËR RRUGËT
"Zotohem para jush, se do punojmë shumë së bashku për Hasin e zhvilluar, për Shqipërinë e zhvilluar", tha Berisha. Ai shtoi se "vite më parë nisëm përpjekjen për Shqipërinë e zhvilluar, kur nuk kishte rrugë përveç rrugëve kombëtare, por së bashku këtu në Has e mbarë Shqipërinë mbi 10 km rrugë", tha Berisha.

"Nuk do harroj kurrë gëzimin e banorëve të Kolajve, kur inaguruan rrugën Kolaj-Qafë Prush. Sot kemi bërë të tjera dhe kemi prapë për të vazhduar. Të vazhdojmë me përpjekjen për zhvillimin e Hasit dhe Shqipërisë. Kemi rindërtuar dy shkolla nga më modernet", kujtoi Berisha.

"Tuneli i Kalimeshit, Rruga e Kombit dukej ëndërr, por ja ku e kemi një ëndërr të vërtetë. Dhe po ndërtojmë rrugën Krumë-Kukës", premtoi Berisha.

PËR UNIVERSITETET
"Vajzat dhe djemtë tuaj nuk ndiqnin dot universitet, që ishin mollë e ndaluar. Sot çdo vajzë dhe djalë nga Hasit dhe mbarë Shqipëria i ka të hapura dyert e universiteteve dhe me djersën e tij realizon ëndrrën universitare”.

PËR RROGAT DHE PENSIONET
"Pensioni në fshat ka qenë 3400 lekë. Sot është rritur mbi dy herë dhe do vazhdojmë ta rrisim. Mësuesit, infermierët kërkonin të largoheshin nga profesioni i tyre, se kishin rroga qesharake. Sot i kemi rritur me 140% dhe ata i janë përkushtuar profesionit të tyre", tha Berisha. "Do vazhdojmë me rritje rrogash dhe pensionesh", premtoi Berisha më pas.

PËR BUJQËSINË
"Në mbarë Shqipërinë, dhjetëra mijëra ha tokë mbeteshin djerrë. Këto vite kemi subvencionuar dhjetëra mijëra hektarë, dru frutorë, sera, bimë të tjera. Bujqësia ka nisur një kapitull të ri; të prodhimit shumë herë më të madh". "Subvencionim i fermave 3 herë më shumë se sot në 4 vitet që vijnë", përsëriti premtimin e tij elektoral Berisha.

PËR NATON, VIZAT DHE STATUSIN
"Për hasianët dhe shqiptarët NATO  ishte ëndërr e largët, sot jemi vend krenar, i sigurt në lirinë tonë, anëtarë të NATO-s. Në këtë shesh ju kam premtuar heqjen e vizave dhe vizat i hoqëm, sot lëvizim të lirë. Bëmë reale një ëndërr tjetër të bukur. Pak vite më parë u angazhuam të ecim drejt BE-së, merituam Statusin, na e bllokoi një njeri që vendosi të shkelmojë mbi interesin e çdo shqiptari për ligësinë e tij. E detyruam të miratojë 3 ligjet dhe së shpejti do ta marrim statusin", tha Berisha. Ai premtoi edhe negociatat me ShBA për heqjen e vizave me këtë "vend të madh të lirisë".

DO HEQIM DOGANAT ME KOSOVËN
Pasi u ka bërë thirrje të majtëve "që të vijnë me ne", Berisha ka premtuar edhe "heqje të doganave me Kosovën e për të krijuar hapësirë ekonomike shqiptare".

PËR EDI RAMËN
"Alternativa tjetër ju server mashtrime, trillime dhe fiksime. Edi Rama sapo del nga autobusi mavi shpërndan kudo mashtrime, trillime, poshtërime, fiksime. Për atë ju jeni skllevër të Sali Berishës. Ju jeni njerëz të lirë", iu drejtua Berisha hasianëve. "Për të mbledhur vota duhet kaluar në taksën progresive, të mbyllen vende pune dhe të largohen investitorë", sulmoi ai sërish kundërshtarin për politikën e taksave.

"Për Edi Ramën jeleku im është anti-plumb. Vuan nga fiksime, por s’kemi ç’ti bëjmë". Sipas Berishës, Edi Rama përfaqëson kryebashkiakun që s'dukej në bashki dhe mbart modelin, që gjithçka i duket rrënim dhe shkatërrim. "Modeli im që jeton pas 20 vitesh në politikë në një apartament 125 m. Ndërsa ai po ndërton vilë 57 m të gjatë, me një pallat tjetër në shpinë, pa treguar asnjë qindarkë me sa i ka ndërtuar", akuzoi Berisha.

Berisha u ka kujtuar hasianëve, se ne kemi modelin e familjes, e jo të Ramës që martohet sa herë ka zgjedhje. "Kemi modelin e njëri-tjetrit, që dëgjoni, respektoni njëri-tjetrin, keni modelin tim, që ju dëgjon ju, ndërsa ai iu pret fjalën, ikën pa pikë respekti". "Sali Berisha bën gjithçka bashkë me ju për të bërë të vërtetë ëndrrën europiane, siç bëmë NATO-n, vizat. Modeli i Edi Ramës, që s’pyet për asnjë prej jush, që mbajti peng statusin", ka shtuar Berisha.

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)