LUSHNJE - Kryeministri Sali Berisha merr pjesë në një miting në qytetin e Lushnjes, ku po prezanton kandidatët për deputetë të qarkut të Lushnjes. Berisha shoqërohet edhe nga ministri Sokol Olldashi dhe kandidatja për deputete në Fier, Mesila Doda.

Kjo e fundit tha përpara njerëzve se "sot do të ishim vend kandidat, nëse Rama nuk do bllokonte statusin, duke premtuar se "do t'i votojmë menjëherë 3 ligjet". Mesila Doda u tha të pranishmëve se "në 23 qershor kemi përpara dy alternativa; njëra është alternativa, që ndërton rrugë të reja e tjetra është alternativa e taksave të larta, e interesave mavi".

Ajo ka renditur edhe faktin se "gjatë këtyre viteve mbajtëm taksa të ulëta, mbajtëm taksën 10%, se qeveria ka hapur mbi 1300 biznese të reja, e qeveria ka investuar në të gjitha komunat e Lushnjes." Ndërsa, kandidati tjetër për deputet në këtë qark, Sokol Olldashi ka theksuar se "Rama përgjegjës për statusin, detyron kandidatët të mos votojnë ligjet".  Më pas ka marrë fjalën kryeministri, Sali Berisha, i cili ka theksuar se "lushnjarët duhet t'ia japin votën PD-së për projektin, që kjo parti ka për integrimin e vendit në BE, për infrastrukturën moderne të Shqipërisë dhe më shumë punësim, arsimim etj.

INTEGRIMI MË JETIKU PËR SHQIPËRINË
 
Pasi ka përmendur kartën e Stabilizim Asocimit, NATO-n, KiE, liberalizmini e vizave, kryeministri ka shtuar se “Lushnja dhe lushnjarët, Shqipëria sot është me autostradat më moderne, shqiptarët udhëtojnë në rrugë që s’i kishin kurrë më parë. Janë pasuria juaj”.
 
Berisha ka bërë thirrje, që lushnjarët të bashkohen rreth PD-së , pasi “këto vite më shumë se kurrë u rritën rrogat dhe pensionet në fshat, qytet dhe kudo; se në këto vite Lushnja dhe Shqiëoria në 10 vendet e para në botë për vizitat e turistëve. Me reformat bëmë të mundur rekomandimin e statusit të vendit kandidat për BE.

RAMA BLLOKOI, FUTI NË KUVEND BORIE

Berisha sulmoi kreun e opozitës, duke thënë se, "përfaqësuesi tjetër bllokoi, futi në Parlament daulle e borie për të thënë që këta s’janë njerëz. Ai organizoi miting proteste të nesërmen e festës sonë të anëtarësimit në NATO. Thoshte NATO s’është as bukë, as ujë. I them zotërisë, se të shprehet në këtë mënyrë qytetari i një vendi që ka paguar me lumenj gjaku sigurinë e tij, do të thotë mos kesh asgjë të përbashkët me vuajtjet e sakrificat për të mos thënë më shumë..të kombit tënd".

Berisha shtoi se "meqë thua se NATO është natë e s’është as bukë e as ujë, e dinë fermerët e mrekullueshëm të Lushnjës, se cili është zhvillimi i tyre këto 4 vite. E di çdo shqiptar se u morën 4 miliardë dollarë investime në 4 vjet anëtarësim në NATO. Ju ftoj të mos luani me projektin tonë të këtij shekulli; marrjen e statusit, hapjen e negociatave". Berisha ka premtuar edhe më shumë punësim, arsimim etj.

LUSHNJA PRODHON MË SHUMË SE KURRË

Sukseset e mësipërme Berisha i ka quajtur vepër të qytetarëve, duke shtuar se "Lushnja sot prodhon sa kurrë në historinë e saj". Ju e dini dhe e ndjeni, se në vitet më të vështira të krizës së thellë ekonomike, lumenje djerse u derdhën në ullishtat, serat tuaja, e bënë të mundur që ky vend, kjo ekonomi të vazhdojë rritjen, të ecë përpara.
 
NUK DUA TË RRAH GJOKSIN

"U ndala jo për të rrahur gjoksin, jo për të kërkuar vota për këto që kemi realizuar, por një gjë duhet t’i them se e shkuara iu duhet vetëm për të projektuar të ardhmen e tyre, të ardhmen që meritojnë, e ardhmja jonë më e ndritur për fëmijët tanë është integrimi në BE, është Shqipëria anëtare e Nato-s, BE-së. Procesi i integrimit është më jetiku, më vendimtari për të ardhmen, për mesazhin e Lushnjës, Vlorës e të gjitha kohërat.
 
KEMI NDËRTUAR JO 10 MIJË KM RRUGË, POR 11 MIJË

Me taksat tuaja, me mundin tuaj këto vite ne kemi ndërtuar jo 10 mijë, por 11 mijë km rrugë në fshatra dhe qytete të Shqipërisë. Në këtë rreth të bekuar kryeqytet të prodhimeve të mrekullueshme, kemi shumë kilometra për të asfaltuar. Kemi Boshtin e Jugut, Rrugën e Arbrit".

RAMA UDHËTON NË RRUGËN E PRISHUR TË KOÇOS
 
Shqipërinë me infrastrukturë moderne, Berisha e quan “Shqipëria reale dhe jo ajo që krijojnë në autobusë shokët socialistë”.

Më tej kryeministri ka treguar një episod, ku ka sulmuar kryesocialistin me rrugët e këqija që ka ndërtuar aleati i tij, Koço Kokëdhima. “Shoku i autobusit u detyrua të ndalet gjatë rrugës për në Brataj të Vlorës, pasi rruga për atje është plot gropa e xhunga”.

Ai u nervozua dhe mori fuori-stradën, ndërsa shoferi i tha: Këtë e kemi peshqesh nga Koçoja, se Koçoja ka ndërtuar këtë rrugë”. Berisha u ka thënë qytetarëve të Lumit të Vlorës se "rruga do të ndërtohet në mënyrën më të shkëlqyer”.

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)