TIRANE- “Gjuha angleze duhet të jetë gjuha e globalizimit dhe universitetet private duhet t'u afrojnë studentëve mundësinë për arsimim me cilësi të lartë dhe cmim të ulët" Kështu deklaroi sot kryeministri Berisha ndërsa mori pjesë në konferencën "English for the Next decade" organizuar nga ambasada britanike në Tirane. Kryeminstri theksoi se anglishtja duhet të futet si lëndë e detyrueshme për t'u mësuar që në klasën e 3-të dhe pse ka diskutime që mund të futet që në klasën e parë. Për këtë arsye kërkoi që në sistemin e ardhshëm arsimor që do të hyjë në fuqi deri në vitin 2015, për arsimin parauniversitar, do të duhet që çdo mësues që fillon me klasën e parë të jetë anglishtfolës. 

Më pas ai u ndal te tarifat e Universiteteve private për anglishten, duke kërkuar që të jenë më të ulëta."Dalin edhe disa probleme në universitete që ministria së bashku me rektorët duhet t’i zgjidhin, si p.sh çështja e tarifave për studentët. Ne duhet ta bëjmë anglishten jo një taksë, por një pasion, një dije themelore të nxënësve. Natyrisht, në kushtet e tregut, nuk ka asgjë pa një çmim, por duhet të përpiqemi t’ia lehtësojmë sa më shumë atë studentëve, të gjejmë mënyrat sesi testi i British Council apo TOEFL apo teste të miratuara nga ju të jenë sa më lehtë të përballueshme nga studentët tanë." Në konferencë merrnin pjesë ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, ambasadori i Britanisë së Madhe në Tiranë, Nicholas Cannon, përfaqësues të institucioneve arsimore, universiteteve publikë dhe privatë etj.
(jd/shqiptarja.com)