"RRUGË PËR PATATET E KUKËSIT"
“Rruga është vetëm përpjekja jonë e parë drejt këtyre maleve. Rruga që përshkon aeroportin ngjitur me to përcaktoi një të ardhme të ndritur turistike për malet, për Shishtavecin, bjeshkët e tij”, ka thënë kryeministri Berisha, ndërkohë që është ndërprerë edhe nga një thirrje: “Zoti të ndihmoftë.". Por kryeministri ka theksuar se, përveç turizmit rëndësi ka edhe zhvillimi i fermave bujqësore dhe blegtorale. “Kjo është zona e patateve më të mira të Shqipërisë dhe nuk harroj, e kam shumë të freskët në mendjen time, kur pak vite më parë me të drejtë më kërkonit të nisja makinat e ushtrisë për transportin e patateve, sepse rruga s’kalohej. Rruga është ndër më të kushtueshmet e këtij lloji, por sado që të kushtojë do shkojë deri në pikat kufitare në kufi me Dragashin”, ka bërë të ditur kryeministri.
"ÇDO RRUGË PËR KOSOVËN"
Berisha i ka mëshuar rëndësisë që ka lidhja me Kosovën me çfarëdo rruge, edhe me këtë segment të ri si ky i Shishtavecit. “Asgjë nuk do na pengojë ne të ecim deri në destinacionin e fundit të kësaj rruge, që të krijojmë një lidhje shtesë me Kosovën. Vendimi ynë është që çdo rrugë që bashkon Shqipërinë me Kosovën do të ndërtohet në standardet më të mira ndërkombëtare”, ka premtuar Berisha.
“3 LIGJET I BLLOKOI RAMA”
Pasi ka ezauruar tematikën e rrugës, Berisha e ka lidhur përurimin e saj me fushatën elektorale. Ai ka përmendur se qeveria ia doli të mbidyfishojë rrogat dhe pensionet, ka dyfishuar pensionet në fshat dhe rritur ndjeshëm ato në qytet, anëtarësoi Shqipërinë në NATO...Por ka ngecur të 3 ligjet. “Ne i propozuam Këshillit të Ministrave të BE-së për marrjen e statusit kandidat të Shqipërisë dhe u la data 20 nëntor si datë finale me kusht, e për 3 ligjet kishte ujdi të plotë. Nga atëherë deri sot janë bllokuar në Parlamentin shqiptar nga zoti Edi Rama. Me qëllimin e vetëm; për të dëmtuar, sipas mendjes së tij, qeverinë. Në të vërtetë ai dëmton një interes të çdo shqiptari, sepse statusi i vendit kandidat do të thotë disa qindra milionë euro falas nga BE; investime për rrugë, ujësjellësa, kanalizime, spitale, që shqiptarët të jetojnë, të kenë infrastrukturën e qytetarëve europianë. Duke bllokuar 3 ligjet, Rama bllokoi ëndrrën e çdo të riu shqiptar, që me status do të kishin të drejtë të aplikonin të studionin në universitet europiane dhe të punonin gjatë studimeve, shkelmoi emigrantët dhe të drejtën e tyre të pensionit aty ku jetojnë etj. Rama mori për vete vulën e bllokuesit dhe Shqipërinë e privoi nga një pasaportë të shkëlqyer", akuzoi kryeministri. “Dua mbështetjen tuaj dhe të afërmeve tuaj për projektin tonë europian”, ka shtuar Berisha, i cili më pas i është rikthyer rritjes së rrogave dhe pensioneve. “Rritja e pensioneve dhe rrogave do të jetë politikë konstante e qeverisë sime.
“RAMA VRAPON KU TË GJEJË NJË GROPË”
“Sot ka një alternativë tjetër, që mohon çdo gjë. Zoti Rama udhëton me autobus luksoz në rrugë pa gropa dhe vrapon, ku të gjejë një gropë. Me kandidatin e tij për Kukësin, Kujtim Qefalinë ka qenë në një komunë socialiste. Ma thotë mendja se i kanë bërë vetë gropat. Vërtet, ka qindra km të paasfaltuara, por ne që asfaltuam mbi 10 mijë km rrugë, në zonat rurale mbi 8 mijë km, ne kemi vullnetin, zotimin për të asfaltuar çdo km rrugë aty ku banojnë shqiptarët”, është kundërpërgjigjur Berisha. Ai ka shtuar se rrugë në Shqipëri janë ndërtuar në të katër anët dhe konkretisht në qarkun e Kukësit janë mbi 500 km rrugë kombëtare, rurale, të të gjitha llojeve. Se në Kukës ka 39 shkolla të ndërtuara dhe rindërtuara dhe që Kukësi është sot me universitet dhe stadium. “Kemi mohimin nga ana tjetër, se asgjë s’është bërë. Se nuk ekzistojnë mbi 6000 km. Por kjo bazohet në mosnjohjen. Shqipëria do zhvillohet. Kjo është alternativë e damkosjes, teksa marrin vesh një lajm jo të mirë”, theksoi Berisha.
Redaksia online
(ma/ar.sh/shqiptarja.com)