TIRANE - Kryeministri Berisha ka komentuar edhe pas përfundimit të takimit me gazetarët, të zhvilluar pasditen e sotme, çështjen e shtetësisë shqiptare për të gjithë shqiptarët kudo që ata ndodhen.

Nëpërmjet profilit në rrjetin social Facebook, Berisha thekson se dhënia e pasaportës me shtetësi shqiptare çdokujt që ka kombësi apo origjinë shqiptare, është detyrim ndaj tyre.

Numri një i qeverisë përsëriti se deklarata e tij është koherente me dekretin e nxjerrë në kohën kur ai mbante postin e Presidentit në vitin 1992.

DEKLARATA E PLOTE E BERISHES
“Sot gjatë bashkëbisedimit që zhvillova me gazetarët, pata rastin të ripërsëris një prej qëndrimeve të mia më konstante në kohë, atë për dhënien e shtetësisë shqiptare të gjithë shqiptarëve. Këto deklarata janë plotësisht koherente me një nga dekretet e para që unë nxora si President i parë i Shqipërisë demokratike, dekretin nr 255 të 17 korrikut 1992. Ky dekret thotë se shtetësia shqiptare do t’u njihet të gjithë qytetarëve me origjinë apo kombësi shqiptare, kudo që ndodhen. Ai përcakton se, pavarësisht nga shtetësia që duan të mbajnë, ata janë të lirë të mbajnë më shumë sesa një shtetësi përkrah asaj shqiptare. Ky qëndrim ka qenë i vetmi standard ligjor i Republikës së Shqipërisë për gjashtë vite me radhë, 1992-1998. Pra, do t’i japim pasaportë e shtetësi shqiptare çdokujt që ka kombësi apo origjinë shqiptare, si detyrimi më minimal i këtij vendi ndaj tyre. Shqipëria nuk është vetëm e jona. Ajo është edhe e atyre që kanë derdhur gjak, kanë lënë eshtrat e të parëve, njerëzve, prindërve të tyre për pavarësinë e saj. Kjo është e parashikuar edhe në Preambulën e Kushtetutës së Shqipërisë.”

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)