Ish-kryeminsitri Sali Berisha mund të përjashtohet nga grupi parlamentar i PD-së. Kështu u shpreh anëtari i ri i Kryesisë së PD, Fitim Zekthi, i cili, ndërsa foli për çështjen e shpalljes 'non grata' të Berishës dhe kërkesës së SHBA që ai të mos futet në parlament, tha në një intervistë televizive se PD nuk mund ta ndalojë atë për përfaqësojë elektoratin që e ka zgjedhur, por mundet që ta konsiderohet një vendim për të mos ta cilësuar atë pjesë të grupit parlamentar të djathtë.

“Zoti Berisha ka thënë vetë që do të jetë në parlament. Kjo nuk ka diskutim. PD nuk mund ta ndalojë futjen e Berishës në parlament pasi ai është një deputet i zgjedhur nga shqiptarët. Aman Partia Demokratike mund të marrë në konsideratë një vendim të saj për të mos e cilësuar atë pjesë të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, pra ky është diskutimi. Ky është gjykimi im. Mesa di unë PD e ka pasur një qëndrim në lidhje me këtë çështje. Qëndrimi është ky. Zoti Berisha është trashëgimia historike e Partisë Demokratike. Është në një farë mënyrë ndërgjegjja jonë 30-vjeçare. Arritjet e PD janë nën shenjën e këtij njeriu. Ky njeri ka një vend të padiskutueshëm në Partinë Demokratike dhe shtetit shqiptar. PD respekton statutin dhe për përjashtimin e njerëzve. PD nuk mund ta përjashtojë nëse nuk shkelet një nga këto klauzola”, u shpreh Zekthi.

Pas ultimatumit të SHBA që Berisha të mos jetë pjesë e parlamentit të ri, në PD duket se janë shtuar zërat për distancimin e partisë nga ish-lideri i saj.

Shkaktoi jo pak debat në PD deklarata e sekretares së re të PD për ish të përndjekurit polikë, Jonila Godole, e cila u shpreh hapur për distancim nga PD. Habi bëri edhe fakti që lajmi u publikua nga portali i familjes Berisha dhe "Rilindja Demokratike" duke shkaktuar një furtunë mes demokratëve. Pas reagimit të fortë dhe urdhrave të marrë "RD" zhduku lajmin dhe bëri autokritikë duke u justifikuar me fjalën e lirë. E gjithë kjo situatë bëri që Alfred Rushaj, i zgjedhur si kreu i grupit parlamentar të PD, të vendos 'rregull' për të gjithë demokratët që të mos japin më prononcime pa u koordinuar më parë me linjën politike të partisë.