Sali Berisha akuzon sot qeverinë shqiptare se ka përgjuar në mënyrë të jashtëligjshme 375 zyrtarë: që nga Visho Ajazi te Presidenti i Republikës, nga Ilir Meta te Erion Velija, nga Prokurori Llalla te vetë Berisha. Burimi i këtij “scoop-i” është tashmë i zakonshmi qytetar dixhital anonim, i cili edhe pse e njeh me saktësi numrin e personave të përgjuara, pikërisht 375, tregon vetëm 44 emra. Këtu mund të lexoni postimin e plotë të Berishës në facebook, i cili duke bërtitur shumë herë “ujku, ujku” ka humbur tashmë çdo besueshmëri. Të lexosh akuzat e tij sot, është sikur të lexosh histori fantastiko-shkencore ku mund të ndodhë gjithçka dhe e kundërta e gjithçkaje. Një zhytje në fantazi.

Në të vërtetë Berisha po provon të kopjojë skenarin që ndodhi disa muaj më parë në Maqedoni, ku lideri i opozitës, Zoran Zaev, akuzoi qeverinë se kishte përgjuar ilegalisht 26 mijë qytetarë. Por dallimi mes Zaevit dhe Berishës është i jashtëzakonshëm: Berisha, si zakonisht përdor vetëm thashethemet si ''prova'' për të publikuar skandalet e tij. Ndërsa Zaev publikoi përgjime të vërteta, duke ia paraqitur mbarë botës telefonatat mes liderëve politikë të përgjuar në mënyrë të jashtëligjshme. Kurse qytetari dixhital i doktorit edhe këtë herë është i papërgatitur: asnjë dokument, asnjë copë letër, asnjë provë. As listën e plotë me 375 emra, pasi mesa duket fantazia e doktorit dixhital arrin të prodhojë vetëm 44 emra dhe jo më shumë.

Tre vite më parë, në prag të zgjedhjeve politike SHIU i doktorit bleu një aparat për përgjime që e përdori në mënyrë të jashtëligjshme: i destinuar për të ndihmuar ushtarët shqiptarë me mision në Afganistan apo në Irak, u pa në të vërtetë të përdorej në fuoristrada të errëta me targa angleze afër ambasadave apo selive të redaksive të gazetave të Tiranës. Një nga këto mjete e pamë me sytë tanë pikërisht afër Shqiptarja.com, i parkuar në një trotuar 100 metra në linjë ajrore nga ambasada Italiane dhe nga ajo e Shteteve të Bashkuara. Kë përgjonte?