Sali Berisha nuk mban asnjë përgjegjësi për humbjen shkatërruese që pati në këto zgjedhje vendore, duke fituar vetëm në 7 bashki nga 61 gjithsej, por aq më tepër duke u braktisur totalisht nga shqiptarët për votën për Këshillat Bashkiakë. Berisha tha sot në një konferencë për mediat se nuk ka shanse që ai të tërhiqet. Ish-Kryeministri thotë se zgjedhjet janë manipuluar, pasi sipas tij është bërë presion, janë blerë komisionerë, janë intimiduar zgjedhësit, si edhe janë hedhur dhjetëra milionë euro për të blerë votat.

“Kurrë nuk tërhiqem para bandave të krimit shtetëror dhe jo shtetëror. Shkodra është shembulli më i shëmtuar në të cilën u votua si në rrethim nga banda të Edi Ramës”, tha Berisha.

Madje Berisha e futi ndër faktorët kryesorë të humbjes së tij faktin që emri i tij nuk ishte në fletën e votimit, por ishte ai i Ilir Metës. Nuk dihet se sa i ‘lumtur’ do të jetë Meta për këtë qëndrim të aleatit të tij.

“Ajo jo vetëm i konfiskoi vulën jo vetëm e privoi nga të gjitha fondet që i takonin me ligj dhe kushtetutë por kaloi në aktin më absurd të mohimit të aktit të koalicionit për të zgjedhur kryetarin e vetë dhe i tmerruar nga emri i Sali Berishës nuk lejoi regjistrimin e tij”, u shpreh Berisha.

Rezultatin e zgjedhjeve të 14 majit, ish-kryeministri e quan farsën elektorale më të shëmtuar. Sipas tij, shqiptarët kanë votuar nën presion dje jo të lirë. Ai madje tha se ka prova që kryeministri Edi Rama ka ndërhyrë në rezultatin e zgjedhjeve, duke justifikuar kështu humbjen e tij drastike me aludimet se rezultati është ndryshuar nga vetë Rama.

"Farsa zgjedhore 2023 si farsa elektorale më e shëmtuar e Shqipërisë dhe Europës po kundërmon çdo ditë  e më shumë. Me këtë rast unë vlerësoj raportin e OSBE-ODHIR të autoriteteve lokale rajonale dhe deklaratën e përfaqësues të Parlamentit Europian të cilët dëshmuan se zgjedhësit shqiptarë votuan nën presion dhe jo të lirë. Kjo është kryefjala e këtyre zgjedhjeve, ku me presione të të gjitha llojeve Edi Rama ndryshoi në mënyrë antikushtetuese, antiligjore vullnetin e shqiptarëve, ndryshoi rezultatin e votimit.

Raporti paraprak, ndonëse është paraprak dhe jo përfundimtar vë gishtin në problemet më madhore të këtyre zgjedhjeve duke filluar nga makineria shtetërore elektorale, si një përbindësh shkatërrimtar i procesit zgjedhor, si një akt që përmbys pabarazinë më të madhe në procesin zgjedhor, ndalet në të gjitha format anti-ligjore të ndërhyrjes në vullnetin e shqiptarëve nga qeveria, nënvizon blerjen masive të votës, gjer edhe presionet e tjera të administratës mafioze, më e pranishme se kurrë në qendrat e votimit dhe procesin e votimit. Përpjekjet për të shkëputur ndonjë gjysme frazë nga përfaqësuesit më të nderuar të institucioneve prestigjioze në BE, OSB-ODHIR dhe Parlamentit Europian, siç e patë vetë ata refuzuan të nxjerrin nga goja çdo cilësor që iu kërkua nga mediat e Ramës për ta tundur si flamur të këtyre zgjedhjeve më të manipuluarat, më të rrënuarat ndonjëherë në historinë e Shqipërisë", tha ai.

Ai tha se Rithemelimi do të paraqesë një raport me shkeljet që janë bërë në këto zgjedhje, ndërsa në fund theksoi se do pas këtyre zgjedhjeve do të votëbesohet siç e parashikon statuti.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:24
Berisha humbi në mënyrë drastike: Do votëbesohem para Kuvendit Kombëtar para statutit

 

Sali Berisha në daljen për mediat tha se do të votëbesohet para Kuvendit Kombëtar të Rithemelimit siç e kërkon statuti.

“Statusi do respektohet, kjo nuk ka diskutim. Statuti do respektohet pa asnjë lloj ekuivoku. Ne i qëndrojmë të pathyeshëm në respektin e shtetit ligjor brenda partisë, ajo është kushtetuta jonë, do ta respektojmë”, tha Berisha.

Çfarë thotë statuti i Rithemelimit? Pas zgjedhjeve të përgjithshme për pushtetin vendor, Kryetari votëbesohet me votë të fshehtë në Kuvendin Kombëtar. Kryetari quhet i votëbesuar kur kanë votuar “pro” jo më pak se 70% e anëtareve që kanë marrë pjesë në votim.

Ora 14:15
Zef Hila pranoi humbjen në Vaun e Dejës, Berisha e mohon: Nuk është e vërtetë! ‘Të shkoftë mbarë’ ka një kod brenda

 

Në dy prej bashkive, konkretisht në Vaun e Dejës dhe në Kavajë, pati një pranim të rezultatit nga ana e kandidatëve humbës. Në Kavajë, kandidati i PS, Redjan Krali me një përqafim i uroi fitoren kandidatit të Bashkë Fitojmë, Fisnik Qosja. Berisha nuk ka lënë pa komentuar urimin e Zef Hilës për kandidatin e PS Kristian Shkreli për fitoren në Vaun e Dejës. Ai mohoi që Zef Hila të ketë pranuar rezultatin dhe shtoi se urimi “të shkoftë mbarë” përmban një kod brenda.

“Si mund ta njihte Zef Hila atë rezultat, kurrë, ai tha këto fjalë: numërimi ëhstë numërim, të shkoftë mbarë. Duhet të zbërtheni kodin e fjalëve. Ajo të shkoftë mbarë i ka të gjitha brenda, nuk është e vërtetë që është njohje rezultati”- theksoi Berisha.

Ora 13:54
Berisha: Kam prova dhe fakte që Rama ka ndërhyrë dhe ka ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve! Të qëndrojmë fuqishëm përballë kësaj organizate kriminale

 

Sali Berisha thotë se ka prova dhe fakte se kryeministri Edi Rama ka ndërhyrë për të ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve.

“Rama armik i egër i përbetuar i votës së shqiptarëve. Një apel për mbarë popullin opozitar, për çdo shqiptar që beson se shteti ligjor, se barazia para ligjit, se liritë dhe të drejta e tjera të qytetarit funksionojnë vetëm në rast se shoqëria voton e lirë. Ata që shohin vendin e tyre të shkretohet me shpejtësi. Ata të cilët të dëshpëruar nga kjo maskaradë zgjedhore po bëjnë gati valixhet të ikin nga Shqipëria, janë të ftuar të qëndrojnë fuqishëm për të rivendosur me çdo kusht të drejtën e lirë të votës së shqiptarëve. PD ka në disponim me qindra fakte, dokumente me të cilat Rama ka ndërhyrë dhe ka ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve, ka me dhjetëra padi në organet të cilat janë kryekëput vegla të partisë shtet. PD do paraqesë një raport shumë serioz pranë të gjitha autoriteteve që vëzhguan zgjedhjet në Shqipëri dhe kancelarive për të faktuar dhunimin masiv, shkelmimin masiv të të drejtës dhe rezultatin. Ajo çfarë ne qëndrojmë plotësisht se në një seri bashkish kandidatët që fituan janë kandidatë të botës së krimit, të drogës. Numërimet janë një Pazar i turpshëm që vazhdon të bëhet çdo minutë. Kësaj shëmtie elektorale opozita me besimin më të madh do t’i përgjigjet në mënyrën më të fuqishme, ne nuk heqim do të kurrë nga ai zotim solemn që kemi të bëjmë gjithçka që shqiptarët të votojnë të lirë”, tha Berisha.

Ora 13:54
Berisha: Në qendrat e votimit, bandat kishin pushtuar zonën dhe kërcënonin qytetarët

 

Sali Berisha tha se nuk do të tërhiqet pas humbjes së 14 majit. Sipas tij persona të inkriminuar kanë bërë presion ndaj votuesve kur shkonin në qendrat e votimit. Ai tha se kandidatët e koalicionit Bashkë Fitojmë kanë bërë fushatë model edhe pse sipas tij ka pasur përpjekje nga qeveria për të asgjësuar opozitën.

“E kam faktuar me vendimet më madhore, rezultatin e një procesi zgjedhor të lirë dhe të ndershëm por asgjë nuk më bën të tërhiqem në asnjë rast para një dhunimi masiv të votës së shqiptarëve. Le të thotë kush në mbarë vendin se Sali Berisha ndikoi apo dhunoi votën e qytetarëve shqiptarë. Në asnjë rast, kemi bërë fushatë model. Nuk kemi bërë asnjë lloj presioni por të zotuar, sepse qëllimi ishte që ne të mos merrnim pjesë në zgjedhje, që të na asgjësonin. Nëse ti mendon se bandat pushtojnë zonën dhe si padrino u hedhin krahun në qafë çdo votuesi dhe e nxjerrin prej aty. Ky nuk quhet votim, quhet batërdi”- tha Berisha.

Ora 13:50
Berisha zero përgjegjësi për humbjen: S’do tërhiqem kurrë

 

Sali Berisha nuk do të mbajë asnjë lloj përgjegjësie për humbjen drastike të 14 majit. Në një komunikim me gazetarët, i pyetur nëse do japë dorëheqjen pasi humbi edhe Shkodrën, Berisha tha se nuk ka ndërmend të largohet pasi sipas tij nuk i ka humbu zgjedhjet, por PS i ka fituar me mbështetjen e krimit.

"Shkodra votoi nën pushtim të vërtetë. Të gjitha poll e kundërshtarëve, por edhe tonat e nxirrnin Bardh Spahinë 14-16 pikë para. Nëse mendon ti ose ndokush tjetër se tërhiqet Sali Berisha para krimit, ai sheh veshin e tij pa pasqyrë. Kurrë nuk tërhiqem para bandave të krimit shtetëror dhe jo shtetëror. Shkodra është shembulli më i shëmtuar në të cilën u votua si në rrethim nga banda të Edi Ramës. Në Shkodër u përdorën sasi kolosale, dhjetëra milionë euro, jemi bindur që qytetarët e Shkodrës zgjedhjen e krimit, pushtetin e krimit s’do ta pranojnë, kjo është përgjigja ime për ju", tha Berisha. 

Ora 13:43
Humbja e thellë në 14 maj, Berisha fajëson emrin e Metës në krye të listës: Rama, i tmerruar nga emri im

 

Kreu i Rithemelimit, Sali Berisha ka cilësuar mungesën e emrit të tij në fletën e votimit, si një prej shkaqeve kryesore për humbjen në zgjedhjet vendore. Ai tha se Rama privoi të gjitha fondet që i takonin me kushtetutë koalicionit Bashkë Fitojmë. Gjithashtu shtoi se një tjetër faktor për humbjen ishte edhe mungesa e komisionerëve dhe numëruesve të opozitës.

“E kemi të qartë si në dritën e diellit përpjekjen e narko shtetit për të asgjësuar opozitën e vërtetë si pjesëmarrëse në zgjedhje. Ajo jo vetëm i konfiskoi vulën jo vetëm e privoi nga të gjitha fondet që i takonin me ligj dhe kushtetutë por kaloi në aktin më absurd të mohimit të aktit të koalicionit për të zgjedhur kryetarin e vetë dhe i tmerruar nga emri i Sali Berishës nuk lejoi regjistrimin e tij. Një aleancë krimi në nivel politik nëntokësor apo terreni, u demonstrua si kurrë ndonjëherë në historinë e vendit trinomi Rama-Doshi-Brava. Ishte shëmtia më e madhe me veprimet e tyre në këtë proces zgjedhor. Siç konstaton me të drejtë raporti i vëzhguesve, blerja e votës ishte një akt masiv dhe i shëmtuar. Mungesa e komisionerëve dhe numëruesve të opozitës të vërtetë të koalicionit Bashkë Fitojmë ishte një akt tjetër pabarazie e madhe. Dhuna, terrori ndaj eksponentëve të opozitës është përdorur gjer në pengmarrje të tyre”- u shpreh Berisha.