Shumë kanë qenë arsyet që Sali Berisha ka artikuluar deri më tani se sipas tij justifikojnë faktin që Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë shpallur ‘non grata’ por së fundmi një tjetër variant është artikuluar.

Në një shënim të bërë nga portali i familjes Berisha, teksa akuzohet Yuri Kim se ka cenuar marrëdhëniet historike Shqipëri-SHBA, argumentohet se një arsye pse Ish-Kryeministri është shpallur ‘non grata’ nga vendi më i rëndësishëm i botës demokratike është fakti se Sali Berisha ka qenë mik me familjen Bush në Amerikë. Në shkrim flitet për një dokumentar të prezantuar nga ambasada e SHBA, që sipas medias së familjes Berisha ka retushuar historinë dhe nuk janë transmetuar marrëdhëniet e jashtëzakonshme të Berishës ndër vite me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Shkrimi i plotë

Sinjalet e para u dhanë në mesin e vitit të kaluar, kur ambasada e SHBA postoi një foto me rastin e 30-vjetorin e vizitës së Sekretarit të Shtetit, James Baker në Tiranë. Në mënyrë skandaloze, ambasada kishte zgjedhur që të ‘retushonte’ historinë, duke shmangur nga fotoja protagonistin kryesor, liderin e opozitës shqiptare, Sali Berisha. Ky i fundit ishte personi që i bëri Baker ftesën për të realizuar vizitën historike.

Qytetarët reaguan me zemërim ndaj këtij retushimi të historisë, por zor se do e kishte besuar kush se censura dhe manipulimi i historisë nga ambasadorja e SHBA do bëhej kaq ekstrem në vitin pasues. Ishte pikërisht koha kur shqiptarët do të festonin 100-vjetorin e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane. Por këto marrëdhënie jo vetëm do eklipsoheshin nga sjellja brutale dhe antidiplomatike e ambasadores Yuri Kim, por edhe nga censura e atij soji që shqiptarët e kishin përjetuar vetëm në diktaturë.

Ky vit që duhej të ishte simbol i triumfit të lirive dhe demokracisë, u kthye në simbolin e manipulimit. Pas disa postimeve të vazhdueshme në faqen e ambasadës, të mbushura me retushime, shmangie dhe censurë, kulmi arriti para dy ditësh. Ambasadorja amerikane, Yuri Kim ishte e pranishëm në shfaqjen e një dokumentari për 100-vjetorin e marrëdhënieve mes SHBA dhe Shqipërisë. Por sërish, protagonisti kryesor i këtyre marrëdhënieve në kohën moderne, Sali Berisha, ishte censuruar.

Asnjë prej takimeve të tij me drejtuesit e lartë të SHBA, duke nisur që nga Bill dhe Hillary Clinton e deri te majtisti tjetër, Barack Obama, nuk ishte përfshirë. Mbi të gjitha, ishin censuruar takimet e Sali Berishës me Bushët. Kujtojmë se politikanë dhe gazetarë të njohur në SHBA, kanë vlerësuar se vendimi për shpalljen non-grata të Berishës, lidhet me faktin se ai ka miqësi të ngushtë me republikanët e familjes Bush.

Takimet e Berishës me Bushin e madh dhe më pas me të birin, kanë regjistruar dy momente historike për vendin, Kosovën dhe mbarë rajonin. Në takimin e parë të Berishës me Bushin senior, u vendos vija e kuqe për Millosheviçin për Kosovën. Ndërkohë disa vite më vonë, në mes të Tiranës, në një vizitë të jashtëzakonshme, i biri i tij, presidenti amerikan George Ë. Bush shpalli pavarësinë e Kosovës.

Para pak ditësh, Sali Berisha foli për atë që njihet si kultura e fshirjes apo (cancel culture), që po aplikon e majta në SHBA. Berisha tha se këtë kulturë censure ne e kemi njohur prej kohësh në komunizëm. Por që të vinte dita që shqiptarët ta njihnin edhe nga ambasadorja amerikane në Tiranë, kjo ishte e paimagjinueshme.