TIRANE - Vetëm njëherë ka pranuar ish-kryeministri Sali Berisha gabimin e bënë në qeverisjen e parë të tij, firmave mashtuese huamarrëse. Kështu, për herë të parë e ka pranuar publikisht ish kreu i qeverisë përgjegjësinë e tij direkte për krizën e piramidave, të vitit 1997, që shkaktoi shkatërrimin e shtetit dhe vdekjen e gati 4 mijë shqiptarëve.

Duke folur para investitorëve të huaj dhe vendas, në konferencën e organizuar nga grupi mediatik “The Economist” pak para zgjedhjeve të 23 qershorit, kushtuar investimeve në Shqipëri, Berisha ka pranuar se “jemi një vend që vuajti nga një sistem mashtrues i piramidave. Në atë kohë, unë isha president i vendit e ne kishim një vakuum total mjetesh për t’i bllokuar ato“. Duke shtuar se ishte përgjegjës për për këtë tragjedi të madhe, pasi ka qënë në krye të vendit. “Vendi përjetoi një eksperiencë shumë të hidhur. Ishte jo njerëzore dhe, për këtë rast, kërkoj falje“,deklaroi ish-kryeministri Berisha asokohe.

Është hera e parë që njeriu që cilësohet si arkitekti i sistemit piramidal shqiptar Sali Berisha kërkoi publikisht ndjesë për përgjegjësinë e tij në shkatërrimin total të shtetit, humbjen e parave të qytetarëve të nje vendi tejet të varfër, që solli, madje, vdekjen e të paktën afër 4 mijë shqiptarëve në kushtet e anarkisë që përfshiu vendin. Kolapsi i piramidave u shoqërua me pasoja gati dramatike në ekonominë shqiptare. Në vitin 1997 prodhimi i brendshëm u tkurr me mbi 7 për qind, ndërsa monedha humbi 40 për qind të vlerës në vetëm pak muaj.

Mijëra qytetarë humbën kursimet e tyre  dhe tregu u përball me inflacion dyshifror deri në 30 për qind. Por veç pasojave katastrofike në ekonomi, firmat piramidale u shoqëruan edhe me kosto të mëdha sociale. Afër 4 mijë vetë humbën jetën nga dhuna që pasoi rënien e piramidave dhe vendi për herë të parë shkoi në prag të luftës civile. Armët që atë kohë vijojnë të jenë në duart e popullsisë duke marrë sërish jetë njerëzish.
 
Berisha ka përzënë FMN sa herë vinte në pushtet
 
Në vitin 1996, ka qenë Fondi Monetar Ndërkombëtar ai, që tërhoqi, në mënyrë demonstrative, përfaqësinë e tij nga Shqipëria. Ishte pragu i kolapsit të piramidave, president i plotfuqishëm ishte Sali Berisha dhe ministër Financash Ridvan Bode. Në tetë vite nga 2005, e njejta dyshe komandoi financat e shtetit, por, këtë herë, është FMN që kërkon të qëndrojë, ndërsa Berisha s’ka rinovuar marrëveshjet me këtë institucion financiar ndërkombëtar. Bode, duke iu përgjigjur shqetësimit të FMN për financat e përmbysura elektorale ka thënë se qeveria shqiptare ka përballuar deri tani situata shumë më të vështira se sa një vit elektoral.
 
Shkrimi u publikua sot (30.12.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)