Arrestimi i Ergys Agasit është i negociuar dhe transferimi i tij në paraburgimin e Bradasheshit shton dyshimet, pretendon kreu i PD-së, Sali Berisha. Sipas tij, burgu kontrollohet nga Taulant Balla, Sara Mila dhe karteli Çela, duke thënë se Agasi duhej që të mbahej në kushte sigurie dhe izolimi më të lartë.

Berisha thotë se Klani i Troplinëve i hoqi mbrojtjen Agasit dhe se u dërgua në Bradashesh, sepse burgu është si seksion i PS.

“E marrin dhe e çojnë në burgun e Bradasheshit. Hajde tani, më thoni ju mua, se a është e negociuar kjo apo jo? E çojnë në burgun që kontrollohet totalisht nga Taulant Balla, Sara Mila dhe karteli Çela. Sepse thuhet se muajin e fundit Troplinët e përzunë, i hoqën mbrojtjen. Pra më thoni mua se, çfarë janë këto? Në vend se të shkojë në qelitë e sigurisë më të lartë, e izolimit më të thellë, shkon tek Taulant Balla dhe Sara Mila. Ata e kanë burgun si repart të tyre, si seksion të PS. Pra, të gjitha këto lënë shumë për të dyshuar. Megjithatë, duke e konsideruar një akt realisht pozitiv arrestimin e tij, iu bëj thirrje agjencive ndërkombëtare të zbatimit të ligjit të angazhohen në hetimin dhe monitorimin e këtij procesi që është i rëndësishëm jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për vendet partnere dhe NATO-n”, tha Berisha.

Ai këmbëngul se kapja e Agasit pas 8 muajsh arrati është bërë me negociatë dhe akuzon kryeministrin Edi Rama se po përpiqet ta lirojë nga akuzat.

“Që në momentin e arrestimit, se ai ka tetë muaj që lëviz lirshëm absolutisht pa asnjë pengesë, lëviz në Durrës, në Xhafzotaj, në vilën e tij në plazh, në Manzë, për hir të të vërtetës edhe në Surrel dhe në hipodromin e tij. Pra, që në fillim lindën dyshime se kemi të bëjmë me një arrestim të negociuar. Qytetarët digjitalë informuan se këto negociata janë realizuar nga Taulant Balla në Elbasan, gjë që duhet hetuar.

Ajo që është jashtëzakonisht e rëndë, ajo që fakton dorën e zezë të Edi Ramës, është çlirimi i tij nga akuza e pengmarrjes. Dhe ky është një akt shumë i rëndë. Ergys Agasi është personi i implikuar direkt në organizimin e dy pengmarrjeve. Edi Rama ka urdhëruar që të hiqet termi pengmarrje dhe të quhet heqje lirie. Janë dy kategori, të cilat kanë vepra penale me dallim të madh në penalitete. Në mënyrë qesharake, akuzohet për pabarazi në tendera një njeri që zyrtarisht me ligj, me rregullore nuk ka pasur autoritet për të zhvilluar asnjë tender. Por përkundrazi, ka përdorur dhunën, forcën për të diktuar për shumë e shumë tendera”, vijoi Berisha.


Lajmi kryesor:

‘Shkarkimi’ i Ristanit/ Berisha: Veliaj i hapi betejë Ramës, dëshmi e dobësisë së kryeministrit