TIRANE - Kur ka akoma dhe dy javë kohë qëndrim në zyrat e Kryeministrisë, Berisha po përgatit një VKM, sipas së cilës, Ambasada e Kinës që gjendet në Shqipëri, do zhvendoset në një vend tjetër dhe toka e ambasadës do t’u kthehet pronarëve, me të drejtën e parablerjes së godinës. Vendimi që sipas “Tema” po përgatitet me urgjencë, rikthen standartet e dyfishta të Berishës për pronarët dhe trajtimin e pasurive publike si mall të vetin.

Ndërsa tek SHQUP Berisha po u merr tokën pronarëve dhe nuk u jep të drejtën e parablerjes, tek ambasada kineze po bën të kundërtën. Që në kohën e komunizmit, Kina i ka ofruar në Pekin Shqipërisë një ambasadë gjigande falas, ndoshta më e mira e gjithë Pekinit, dhe Shqipëria ka detyrë t’i ofrojë po falas një amabasadë Kinës.

Me këtë veprim nëse Kina nuk bie dakord, mund të ndodhë që për shkak të VKM së Berishës, qeverisë së re t’i shtohet dhe telashi i ambasadës në Pekin, e cila mund të na merret nga Kina, nëse ne nuk i sigurojmë një ndërtesë luksose falasm siç e kishin. Berisha ka shumë shanse që t’ia lërë këtë faturë qeverisë së re, ndërsa vetë plotëson një interes klientelist, me dikë që e konsideron pronar toke të vetin.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 25.08.2013
 
Redaksi Online
(b.m/shqiptarja.com)