Berisha pezullon Prendin. Sulmon sërish Ina Ramën

Berisha pezullon Prendin. Sulmon sërish Ina Ramën
TIRANË – Kryeministri Berisha pezulloi nga detyra komandantin e Gardës Ndrea Prendi pak minuta pasi ai hyri në prokuorinë e Tiranës lidhur me akuzat që i bëhen për vrasje. Nëpërmjet zëdhëneses Erla Mëhilli, kryeministri Berisha akuzoi prokuroren e përgjithshme Ina Ramna se ka zhdukur provat për 21 janarit dhe ka bashkëpunuar me kryetarin e PS, Edi Rama për to.

DEKLARATA E PLOTE

“Sot, Gjykata e Tiranës, mbi bazën e mandateve të arrestit me burgim, ka vendosur masën e arrestit shtëpiak për Komandantin e Gardës së Republikës dhe dy punonjës të tjerë, në kuadrin e hetimeve për 21 Janarin 2011.

Kryeministri ka kërkuar që ditën e pare, hetimin e plotë të organizatorëve të përpjekjes së marrjes së pushtetit me dhunë, sulmuesve për pesë orë të Këshillit të Ministrave, autorëve të dhunës, të viktimave dhe të plagosjeve të 21 janarit 2011.

Kryeministri, në respektim të vendimit të Gjykatës të Tiranës, ka vendosur pezullimin nga detyra, të Gjeneral Ndrea Prendi dhe të komandojë në këtë detyrë, Shefin e Shtabit të Gardës së Republikës, NënKolonel Artan Hoxha.

Kryeministri, ndonëse ka denoncuar publikisht qëndrimin politik dhe bashkëpunimin direkt të kryeprokurores në skenarin e përmbysjes me dhunë të Qeverisë legjitime të vendit, ka besim të plotë në vlerësimin nga sistemi ynë i drejtësisë dhe gjykimin e rrethanave në të cilat, pas pesë orësh sulmi të dështuar ndaj kryeministrisë, mbetën katër viktima dhe u plagosën qindra qytetarë, policë dhe anëtarë të Gardës.

Duke mbështetur plotësisht dhe përgëzuar për mbrojtjen e vendosur të institucioneve të vendit, Policinë dhe Gardën e Republikës, Kryeministri qëndron i vendosur për hetimin e plotë të rrethanave, në të cilat humbën jetën katër qytetarë dhe u plagosën qindra policë, gardistë dhe qytetarë.

Ai mendon se, hetimi gjithpërfshirës dhe zbardhja e plotë e ngjarjes tragjike të 21 Janarit 2011, është një kusht madhor për dominimin e ligjit

dhe Kushtetutën në vendin tonë.

Kryeministri duke garantuar qytetarët në vendosmërinë e qeverisë për respektimin e plotë të pavarësisë së gjyqësorit dhe zbatimin e ligjit, informon shqiptarët se Prokuroria e Përgjithshme, gjatë këtij viti jo vetëm që nuk ka marrë asnjë masë ndaj atyre që organizuan, sponsorizuan dhe realizuan sulmin ndaj Këshillit të Ministrave, por në prokurori janë prishur dhe zhdukur dhe shitur prova dhe dëshmi të shumta të këtij hetimi.

Prokurorja e Përgjithshme siç dihet tashmë ka bashkërenduar që në fillim këtë proces me kreun e PS, duke e informuar atë me hollësitë më të mëdha për shkaqet e dështimit të aktit antikushtetues.

Gjatë një viti e gjer sot, nuk ka asnjë të penalizuar nga organizatorët dhe sponsorizuesit e aktit antikushtetues të 21 Janarit 2011, as dhe për ata që montuan dhe shpërndanë videon që tregonte kryesuesin të implikuar në çështje që nuk kishin asnjë lidhje me to. Po kështu, janë të lirë të gjithë ata që në dhjetëra raste, pohuan me shkrim se kishin ardhur të paguar për të rrëzuar qeverinë, ata që me hunj, gurë, shishe Molotov, sulmuan dhe plagosën qindra policë dhe gardistë, ata që morën veturën dhe thyen me të derën e oborrit të Këshillit të Ministrave, me qëllim që të pushtohej ndërtesa e Këshillit të Ministrave.

Kryeministri konsideron se me qëndrimin e saj ndaj organizatorëve, sponsorizuesve dhe ekzekutorëve të sulmit të dhunshëm prej pesë orësh ndaj Këshillit të Ministrave, Prokurorja e Përgjithshme dëshmon se ajo vetë, për mandatin e saj të dytë, ishte element thelbësor i skenarit të 21 janarit 2011.

Kryeministri, siguron shqiptarët se ai, Qeveria dhe forca e tij politike, do të bëjë gjithçka që, ata që organizuan sulmin e egër mbi Këshillin e Ministrave, paguan dhe sponsorizuan atë, ata që u vërsulën me të gjitha mjetet kundër policisë dhe Gardës së Republikës që po mbronin ligjin, shtetin dhe Kushtetutën, ata që bënë gjithçka për të pushtuar institucionin Kushtetues të Qeverisë, për të përmbysur pushtetin legjitim të vendit, si dhe të gjithë ata që kanë shkelur ligjet e vendit dhe abuzuan me to, do të marrin ndëshkimin e merituar.

Drejtësia 21 Janarin 2011, kurrë nuk do ta harrojë.

(aq/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

NATO dhe Ukraina takohen lidhur me raketën e re ruse

NATO dhe Ukraina takohen lidhur me raketën e re ruse