TIRANE - Kryeministri i vendit Sali Berisha është shprehur mjaft ironik ndaj deklaratave të kryesocialistit Rama, të bëra publike gjatë takimeve me socialistët për programin e Partisë Socialiste.

Sipas Berishës Rama është shprehur se i duheshin dy mandate për të zbatuar lidhur me programin ekonomik të PS, premtim të cilin Kryeministri e krahason me skeçin e Gëzim Krujës.

Në profilin zyrtar në Facebook, Berisha shkruan se në njërin nga takimet që Rama ka zhvilluar, një socialist shkodran, sipas Berishës i ka thënë Ramës se i kujton Gëzim Krujën dhe konkretisht një skeç të këtij humoristi.

STATUSI NE FACEBOOK I KRYEMINISTRIT

“Të dashur miq. Premtimet e zotit Rama janë si në skeçin e Gëzim Krujës. Kohët e fundit zoti Rama në disa takime, i pyetur nga socialistët për programin ekonomik të Partisë Socialiste është përgjigjur se për zbatimin e programit ekonomik të PS, një mandat është i pamundur prandaj i duhen dy mandate. Në njërin nga këto takime një socialist shkodran i thotë: Ju shoku kryetar po më kujtoni një skeç të humoristit tonë Gëzim Kruja në të cilin gruaja pyet të shoqin se çfarë peshqeshi ka me i ba ai për 8 mars. Burri i premtoi të shoqes si peshqesh një palë vathë. Dita e festës erdhi dhe e shoqja, tan qejf, po priste peshqeshin e premtum. Mirëpo kur ajo pyeti të shoqin për vathët, ai tan habi ju përgjigj: shpirt a ke harru se në këtë vit e lamë që ti me shpu veshët dhe unë vitin tjetër me të ble vathët. Uhhh më marrsh të keqen, çfar rrenet! Mu veshët mi ka shpu nanadaje qysh në kopsht”

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)