Berisha presion ndërkombëtarëve me
destabilizim nëse e prek “Drejtësia”

Berisha presion ndërkombëtarëve me<br />destabilizim nëse e prek “Drejtësia”
Deklarata e pazakontë e së premtes nga Sali Berisha se 14 shtatori i 1998, do t’i duket lule kësaj qeverie, është marrë me sportivitet nga deputetët e Partisë Socialiste. Ata thonë se Berisha është tashmë një njeri pa influencë që nuk mund të përbëjë rrezik, por shton se ai po tenton të shpëtojë vetveten nga reforma në drejtësi.

Deputeti i Komisionit të Sigurisë Kombëtare,  Arben Çuko thotë për “Shqiptarja.com” se me këto deklarata, Berisha po u bën presion ndërkombëtarëve se nëse ai do të preket nga reforma në drejtësi, është gati të destabilizojë vendin.

“Kur dëgjova deklaratën e Berishës, mu kujtua se kjo nuk është deklarata e fundit e tij. Eshtë e fundit në kohë, por jo e fundit në natyrën e kërcënimit. Të tilla kërcënime Berisha i ka përdorur në ’97-ën, i ka përdorur me prokurorinë për Gërdecin, për 21-janarin, e sa herë i janë dashur. Me këtë të 14 shtatorit, Berisha kërkon të trembë lidershipin aktual të qeverisjes, Edi Ramën, të bllokojë reformën në drejtësi. Ai po ashtu është duke ju dhënë një mesazh ndërkombëtarëve, se në rast se ai do të preket nga reforma në drejtësi, është gati të shkojë në destabilizim”- thotë Çuko.

Për deputetin socialist, Berisha nuk është më një njeri që përbën rrezik real për vendin, teksa shton se kjo mazhorancë nuk mund të trembet nga një qen si ai.

"Berisha nuk duhet marrë seriozisht, se sot ai nuk ka më fuqi, është një qen i pa dhëmbë. Është nga ata qentë që kur njeriu i largohet, vrapon e leh si trim mbas tij. Kur i tregojnë shkopin, zmbrapset. Unë nuk besoj se Edi Rama dhe Saimir Tahiri janë nga ata shtetarë që tremben nga qen si Saliu, përkundrazi”-shprehet Çuko.

Pjerin Ndreu: Berisha ëndërron për masakra
Për deputetin tjetër socialist, Pjerin Ndreu, Sali Berisha si autor i disa prej masakrave më të mëdha në vend, me deklaratën e së premtes, jo vetëm pranon fajësinë e masakrave të para, por ëndërron për të tjera. Në një prononcim për “Shqiptarja.com” Ndreu thotë se Sali Berisha është frymëzues i së keqes në këtë vend.

Kujtesa që ju bën Berisha armatosjes së popullatës dhe 14 shtatorit, është qartësisht dekonspirimi që ai i bën vetes duke u identifikuar si frymëzuesi i së keqes. Vendi ynë ka kaluar ngjarje të rënda e tragjike, me humbje jetë njerëzish, ku për çudi, në të gjitha është gishti dhe indicia e Sali Berishës. Armatosja e ’97-ës ku u vranë 1950 njerëz; 14 shtatori, një grusht shteti ku u dhunuan institucionet; Gërdeci, ku u shfrytëzuan e më pas u vranë fëmijë, gra e burra; 21 janari ku u vranë 4 shtetas të pafajshëm e shumë ngjarje të tjera të hidhura. Me klithjet që bën, jo vetëm vetëdeklarohet si autor i vetëm i këtyre masakrave, por ëndërron për të tjera ngjarje të tilla”-thotë deputeti i Komisionit të Sigurisë Kombëtare.

Megjithkëtë, Pjerin Ndreu nuk sheh ndonjë rrezik real nga Berisha, pasi tashmë ai është një njeri që s’mund të përbëjë rrezik.

“Kjo pra është e ardhmja  që Berisha ju servir shqiptarëve të stërlodhur me politikë të këtij lloji. Politikisht na shërben se ju kujton votuesve se kush është e çfarë i pret, ndërsa në ekuilibrat e brendshëm, është katastrofe, sepse mban në frikë e në ankth shqiptarët, pengon reformën në drejtësi dhe vonon proceset integruese. Megjithëse nuk duhet marrë seriozisht se nuk ka dhëmbë më, veç sa skërmitet kot së koti”- thotë Pjerin Ndreu. 

Redaksia Online
(A.N/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kazakistan/ Rrëzohet avioni me 70 pasagjerë në bord! 6 të mbijetuar

Kazakistan/ Rrëzohet avioni me 70 pasagjerë në bord! 6 të mbijetuar