Tiranë - Kryeministri Berisha projekton kreun e bashkisë, Lulzim Basha si njeriun që do udhëheqë PD pas largimit të tij nga drejtimi i partisë që drejton me dorë të hekurt prej 22 vitesh. Burime nga Partia Demokratike bëjnë të ditur se kreu i PD-së mund të  ketë një dalje publike rreth orës 19:00, por ende nuk është asgjë zyrtare. Në selinë PD që prej të dielës së 23 qershorit vazhdon të mbizotërojë heshtja, pasi rezultatet e numërimit sa vijnë e konfirmojnë fitoren e thellë të koalicionit të majtë dhe humbjen e demokratëve.     

Dje kreu aktual i qeverisë e i PD është parë vetëm nën shoqërinë e Bashës, në zyrën e tij. Më pas dhe dërgimi i Bashës në takim në presidencë me kreun e shtetit Bujar Nishani. Asnjë nga nënkryetarët e PD, përkatësisht Jozefina Topalli dhe Astrit Patozi nuk janë parë as dje në shoqërinë e Berishës, por ka munguar dhe Sekretari i Përgjithshëm Ritvan Bode dhe njeriu i fortë i PD, Sokol Olldashi.

Që nga paraditja e djeshme kreu i PD Berisha ka qënë i shoqëruar nga Basha, duke shtuar zërat për një katapultim të tij në krye të PD, ndoshta për herë të parë pas 22 vitesh që i dorëzon tamam çelësat e partisë. Ndërkohë komunimi i Berishës me nënkryetarët Topalli e Patozi ka qënë tërësisht i ndërprerë që ditën e djeshme kur ka marrë vesh humbjen e thellë në qarkun e Vlorës dhe për më tepër për përmbysjen e rezultatit në qarkun e Shkodrës, ndodhi kjo që ka ardhur për herë të parë në këtë periudhë postkomuniste. Madje mësohet dhe kërkesës së Topallit për një takim vetëm për vetëm, Berisha i është përgjigjur negativisht. Me të njejtën monedhë Berisha i është përgjigjur dhe sekretarit të përgjithshëm Bode, ministrit Olldashi që humbi thellësisht në qarkun e Fierit, por dhe gjithe kryesuesve të listës së kandidatëve në qarqet e tjera të Shqipërisë. Me sa duket faji do të gjendet mes tyre në analizën që do t’i bëhet zgjedhjeve të 23 qershorit në strukturat e larta të PD e humbjes së thellë, më të thellë se në vitin 1997. 

Pas takimit paraditen e djeshme me Nishanin dhe më pas takimi me Bashën, rreth orës 21:00 të 25 qershorit u përhapën zërat për një mbërritje të kryeministrit dhe kryetarit të PD, Sali Berisha në selinë e PD, por më pas zëdhënësja e PD-së Laura Vorpsi mohoi lajmin duke shtuar se "gjithçka ishte një keqkuptim dhe se po pritet përfundimi i numërimit të votave". Vorspi gjithashtu shtoi se Berisha do të jetë sot në selinë PD.

Shkrimi u publikua sot në gazetën Shqiptarja.com(print)
(v.gj/shqiptarja.com)