TIRANE- Siguria në vend ishte çështja më e nxehtë që u debatua në sencën e djeshme parlamentare mes ish-kryeministrit Sali Berisha dhe ministrit të Brendshëm, Sajmir Tahiri. Pavarësisht se diskutimet për rendin e ditës nisën me ratifikimin e marrëveshjes së punësimit me organizatën ndërkombëtare të punës, ILO, Berisha, gjatë fjalës së tij akuzoi kreun e Ministrisë së Brendshme për lidhje me mafian dhe krimin, ndërsa Qeverinë e emërtoi si “Qeveria e tritolit”. “Po si mund të presin shqiptarët rendin, kur kreu i ekzekutivit është njeriu më i lidhur me mbetjet e bandave të rrezikshme të vendit? Eshtë njeriu që shndërroi Tiranën në lavatricen e krimit e parave të pista. Krimi e kap për kafe këtë, ndaj edhe ata kanë pushtuar sot çdo rrugë, çdo shesh, çdo zyrë të këtij shteti dhe bëjnë ligjin", tha ish-kryeministri Berisha.

Në replikë, ministri Tahiri lëshoi akuza mbi ish-kreun e qeverisë për situata kriminale dhe akte terroriste në vend. “Mallkuar ajo ditë kur nuk fole një fjalë se badigardi i djalit tënd qëlloi me pistoletë një kamarier, vetëm se nuk i ndërroi tavllën e duhanit dhe nuk u ndjeve, ti që sot ndihesh për krimin, kur krimi rrotull familjes tënde bënte kasaphanë në Tiranë. E vetmja gjë që nuk ke folur ishte pikënisja, tritoli tek shtylla e tensionit të lartë, të kujtohet se ke dijeni për këto. Kjo që ka ndodhur dhe kjo që po ndodh ka një rritje artificiale, ka një fryrje të panatyrshme lidhur me situata kriminale të theksuara që janë akte të pastra terroriste. Ta dini fort mirë ju, deri ditën e fundit të detyrës time dhe deri ditën e fundit të kësaj maxhoranca askush nga ju që guxon të nxisë të frymëzojë kriminalitetin në këtë vend do ta kalojë paq", tha ministri i Brendshëm Saimir Tahiri.

Meta
“Nuk duhet që për inat të Edi Ramës, Simir Tahirit, Ilir Metës dhe cilido tjetër ne t’i kundërvihemi Policisë së Shtetit, t’u kundërvihemi organeve të drejtësisë, sepse ata kanë nevojë për mbështetjen tonë në luftën kundër krimit të organizuar dhe krimit ordiner”, ishte ky apeli që drejtoi në Kuvend, kryeparlamentari Ilir Meta. Ndër të tjera, në luftën e policisë me krimin i kërkoi një mbështetje pa dallim politik. “Ta japim të gjithë këtë mbështetje, sepse nga tritoli që kërcet në rrugët e qyteteve tona kërcënohen njësoj të gjithë, demokratët, socialistët e qytetarët pa parti”, tha ai.

TOPALLI
Ish-kryeparlamentarja Topalli kërkoi llogari në Kuvend nga mazhoranca në lidhje me shkimin e një mediaje belge, e cila akuzonte deputetin Mark Frroku për vepra të rënda penale. “Para disa ditësh në gazete belge fliste për një emër që është deputet këtu në sallën e Kuvendit që akuzohej për vepra të renda penale, trafiqeve etj, unë nuk di cili do jetë vendimi, por një njeri që është ulur në këtë sallë disa vite nuk mund të rrijë pa i thënë kryeministrit: Fol e shpjego. Ku do shkojë vendi nëse të gjithë do të heshtin, nëse gazetat e huaja hapen me të tille emra e probleme, nëse është i pafalshëm pse nuk i del zot kryeministri”, tha Topalli.


Shkrimi u publikua sot (31.01.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)