TIRANË - Ish-kryeministri Sali Berisha ka vazhduar edhe sot akuzat ndaj qeverisë Rama. Me një shënim në Facebook, Berisha thotë se, qeveria ka vendosur për të mos rritur pagat. “Lajm i hidhur! Premtuan ulje çmimesh dhe rritje të rrogave, sjellin rritje të çmimeve dhe ulje të rrogave, varfëri dhe mjerim”, shkruan Berisha.
 
Sipas tij, “qeveria Rama-Meta, bazuar në marrëveshjen që ka firmosur me FMN, ka pranuar dhe vendosur të mos rrisë rrogat e punonjësve tre vite me rradhë”. “Ky është një vendim shumë i papërgjegjshëm i qeverisë që do zhysë në varfëri dhe skamje qindra mijëra familje shqiptare”.
 
“Kjo sepse qeveria Rama - Meta, me rritjen e çmimit të naftës dhe taksave të tjera, ka shkaktuar rritjen me mbi 30% të çmimit të biletave të transportit, rritjen me 20% të çmimit të bukes, miellit, zarzavateve dhe prodhimeve te tjera por dhe imputeve bujqësore”, shkruan ish-kryeministri.
 
Sipas Berishës, “ngrirja e rrogave për 3 vjet de fakto është ulja e madhe e rrogave çdo vit dhe është hapi tjetër, pas rritjes së borxhit, i instalimi me shpejtësi të skenarit grek në Shqipëri”.
 
Jnë fund Berisha shkruan se, mashtrimet elektorale të Edvin Kristaq Ramës janë një dhunim jo vetëm i besimit por mbi të gjitha i dinjitetit të qytetarëve tanë, për të cilin ai duhet të përgjigjet sa më parë”.
 
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)