Berisha: Rama bllokon integrimin
si Greqia-Maqedoninë

Berisha: Rama bllokon integrimin<br />si Greqia-Maqedoninë
TIRANE- Kryeministri Berisha krahasoi bllokimin integrimit të Shqipërisë, që sipas tij po bën kreu i PS-së, Edi Rama, me bllokimin e integrimit të Maqedonisë nga Greqia. Paralelizmi u bë në konferencën e përbashkët për shtyp që kreu i qeverisë mbajti sot paradite, në kryeministri, me homologun maqedonas. Nikola Gruevski ndodhej sot në Tiranë me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë. Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, Kryeministri Sali Berisha deklaroi se zgjidhje për Fierin mbetet mocioni i besimit për këshilltarët dhe i bëri thirrje Ramës që të mos bllokojë votimin e ligjeve të kërkuara nga KE në Kuvend.

"Rezulton një krahasim i pashmangshëm. Një bllokim që i bëhet Republikës së Maqedonisë në procesin e integrimit të saj, nga vendi fqinj Greqia, për shkak të një marrëveshjeje të emrit, që duhet të zgjidhet, si dhe bllokimit që i bën Shqipërisë zoti Rama, për shkak të çështjes së rrethit të Fierit. Në rastin e parë kemi të bëjmë me një bllokim nga jashtë, në rastin e dytë kemi të bëjmë me një bllokim nga brenda. Ndërkombëtarët nuk shohin asnjë lidhje midis Fierit dhe votimit të 3 ligjeve në Parlament, që zoti Rama i bllokon. Kjo është e vërteta. Ne kemi ofruar zgjidhjen më të plotë, mocionin për të gjithë këshilltarët. Fakti që ky mocion nuk pranohet, fakti që u tërhoqën nga gjykimi i çështjes, të gjitha këto dëshmojnë se tani janë të kënaqur, sepse përmbushën misionin. Kjo është përgjigjja ime. Unë sërish mbetem te mocioni, si rruga më demokratike, ose nëse ai do, le të vazhdojmë shqyrtimin me themel të çështjes", u shpreh Berisha.

GRUEVSKI: GREQIA SHKELI MARREVESHJEN
I pyetur nga gazetarët për mosmarrëveshjet me Greqinë për emrin e Maqedonisë, Gruevski theksoi se Gjykata e Hagës ka treguar se Greqia ka shkelur marrëveshjen dhe shpresojmë që fqinji do ta respektojë në vazhdim.

“Ky kontekst është paraqitur për më shumë se 20 vjet nga ana e Greqisë. Për këtë, Kombet e Bashkuara kanë emëruar edhe një ndërmjetës, për t’i afruar qëndrimet dhe për t’i tejkaluar dallimet. Këto bisedime janë intensifikuar në 5-6 vitet e fundit. Por vitet e fundit, për shkak të problemeve brenda në Greqi, kanë humbur pak dinamikën. Kemi supozuar se, të dy palët, këto çështje mund t’i zgjidhin vetëm me dialog dhe vullnet të mirë. Kishim edhe një kontekst gjyqësor në gjyqin ndërkombëtar në Hagë, gjë që në fund solli edhe akt gjykimin. Në gjithë këtë periudhë të kaluar, Maqedonia ka zhvilluar bisedime me vullnet të mirë dhe asnjëherë nuk e ka shkelur marrëveshjen ndërkombëtare. Gjyqi ka thënë se pala tjetër, pra Greqia, e ka shkelur këtë marrëveshje dhe ka thënë se në të ardhmen kjo nuk do të përsëritet. Shpresoj që fqinji jonë jugor të respektojë të drejtën ndërkombëtare, që është shqyrtuar edhe nga gjyqi më i lartë i Kombeve të Bashkuara. Ne presim që Greqia të respektojë të drejtën ndërkombëtare, për të mos arritur në një situatë të pavolitshme për respektimin e së drejtës ndërkombëtare, por të ndikojë në ndërtimin e një atmosfere më të mirë për zgjidhjen e këtij problemi dhe realizimin e kësaj marrëveshjeje të Samitit të Selanikut, pikërisht lidhur me këtë çështje", deklaroi Gruevski.

Në kuadër të kësaj vizite pasdite do të zhvillohet edhe Forumi i Bashkëpunimit Ekonomik Shqipëri-Maqedoni. Forumi do të përshëndet nga të dy kryeministrat, Berisha dhe Gruevski. Axhenda zyrtare e Kryeministrit Gruevski përfshin edhe takime me Presidentin e Republikës dhe Kryetaren e Parlamentit.
Redaksia online
(sg/eç/ shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    26 Nëntor, 23:23

    A po japin rezultat protestat e PD-së?



×

Lajmi i fundit

Champions League/ Man. City lëshon tre gola epërsi, barazohet për 15 minuta! Goleada nga Leverkusen, Arsenal e Atl. Madrid! Inter i falet autogolit, Milan, Bayern e Barça tri pikë

Champions League/ Man. City lëshon tre gola epërsi, barazohet për 15 minuta! Goleada nga Leverkusen, Arsenal e Atl. Madrid! Inter i falet autogolit, Milan, Bayern e Barça tri pikë