TIRANË -  Kryeministri Berisha ka komentuar vendimet e fundit të PS-së dhe të kryetarit të saj Rama lidhur me marrjen në dorëzimin dhe administrimin e financave publike.

Në profilin e tij zyrtar në Fb, Berisha shprehet se “Rama i lexon financat si Ungjillin sipas Canit apo Kuranin sipas Cacit.”
 
“Në fletërrufenë e tij për financat, “piktori” dëshmon padije, vrer dhe injorance totale në çdo fjalë dhe frazë të tij,”- shkruan Berisha. – “Për çdo njeri që njeh abc-në e financave publike, është e qartë si drita e diellit se në financat publike të Shqipërisë çdo qindarkë hyn nëpërmjet bankave dhe vetëm bankave dhe çdo qindarkë shpenzohet nëpërmjet thesarit dhe vetëm thesarit, i cili mund të kontrollohet on-line nga çdo qytetar.
 
Për Shqipërinë dhe për çdo vend tjetër të lirë të botës, përfshirë këtu dhe SHBA-në, prodhimi i brendshëm, borxhi publik dhe tregues të tjerë kryesorë fiskalë ekonomikë përllogariten dhe publikohen së paku një herë në vit nga Banka Botërore, FMN-ja dhe për vendet europiane edhe nga Komisioni Europian. Por “piktori”, financat i ngatërron me ngjyrat mavi, zymtësi dhe vrer,”- përfundon Kryeministri.
 
Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)