Berisha: Rama, je i kompleksuar
me origjinën e qytetarëve

Berisha: Rama, je i kompleksuar<br />me origjinën e qytetarëve
TIRANE- Në takimin elektoral të zhvilluar me banorët e njësisë numër 11 në kryeqytet, kreu i Partisë Demokratike, u ndal tek investimet e munguara në këtë zonë gjatë kohës kur në krye të bashkisë ishte Edi Rama. Berisha ka risjellë edhe njëherë në vëmendje kompleksin që sipas tij ka kundërshtari i tij politik me origjinën e qytetarëve.
 
“Dua të përulem para jush, për punën e madhe që ju keni bërë, djersën që keni derdhur në kryeqytetin e vendit. Keni ardhur këtu nga të katër anët e Shqipërisë, pa strehë, erdhët këtu për të bërë të vërtetë ëndrrën tuaj të Tiranës, kryeqytetit të vendit dhe përveç ngrohtësisë, shpirtit fisnik të tiranasve, të tjerat, të gjitha i ndërtuat dhe i bëtë vetë. Zoti Rama, jam sot para këtyre qytetarëve të të them vetëm dy fjalë. Ti je i kompleksuar me origjinën e qytetarëve. Je i gabuar. Në Jug e në Veri, në Lindje e në Perëndim, qytetarët kërkojnë vetëm një gjë nga politikanët, kërkojnë ndershmëri dhe trajtim të barabartë. Pa pyete veten zoti Rama, çfarë bëre në 11 vjet, për këta qytetarë, të cilët ndërtuar këtu me lumenj djerse, ëndrrën e tyre të bukur, për vete, fëmijët dhe kryeqytetin e vendit. Është ky kompleks i fajit, është kompleksi i braktisjes që ti ju bëre për 11 vjet që të mundon, që nuk të lëshon”, tha Berisha.
 
Kreu i PD ka sulmuar Ramën edhe për akuzat ndaj simbolit të demokracisë, dy gishtat, duke e siguruar atë se ashtu siç me dy gishtat Shqipëria njohu sukseset më të mëdha të saj, do të kurorëzojë dhe fitoren e PD në 23 qershor.
 
“Fitorja është në dorën tuaj. Zoti Rama që vërsulesh me urrejtje kundër dy gishtave je i gabuar se me këta dy gishta përmbysëm regjimin e etërve të tu, me këta dy gishta anëtarësuam Shqipërinë në NATO, hoqëm vizat, merituam statusin e vendit kandidat. Nder atyre që me dy gishta firmosën historinë e Shqipërisë, lirinë. Bashkohuni me ne me dy gishtat lart për të kurorëzuar fitoren e PD në 23 qershor. Shqipërinë se bëri grushti stalinist, por dy gishtat e burrave , grave dhe vajzave shqiptare”, tha Berisha.
 
Duke u ndalur në programin e PD-së, kryeministri tha se 4 vitet që vinë krijohen më shumë mundësi punësimi dhe rritjes të mirëqenies së shqiptarëve.
 
“Katër vitet që vinë qeveria do bëjë gjithçka për punësimin tuaj, mirëqenien tuaj, jemi të vendosur të krijojmë dhjetëra e mijëra vende pune, me hapjen e dy parqeve logjistike, kantiereve të Tiranës në shek 21, bulevardin e ri, tramvajin, sistemimin e lumit. Jemi të vendosur të punësoheni ju sepse 4 vitet që vinë në Tiranë, mbarë Shqipërinë do dyfishojmë turizmin dhe do rrisim ndjeshëm punësimin në industrinë e turizmit. 4 vitet që vinë, Shqipëria vendi lider për energjinë në rajon do jetë ëndrra që do ta bëjmë realitet. Në të katër anët e vendit do punësohen dhjetëra e mijëra shqiptarë. Ne do ju punësojmë ju, sepse ne brenda këtij viti do marrim statusin e vendit kandidat. Ne do tu punësojmë sepse Shqipërinë dixhitale do ta kthejmë në vend lider në rajon, duke dyfishuar numrin e punonjësve” përfundoi kryeministri.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Mahmutaj për Report Tv: Suel Çela pagoi Artan Hoxhën për të manipuluar informacionet, i ka shtrirë tentakulat deri te gazetarët! Inskenuan kërcënimin

Mahmutaj për Report Tv: Suel Çela pagoi Artan Hoxhën për të manipuluar informacionet, i ka shtrirë tentakulat deri te gazetarët! Inskenuan kërcënimin