Vendimi i qeverisë për ndërrimin e fotos së Presidentit Bujar Nishani me atë të Ismail Qemalit është pritur me kritika nga ana e opozitës.

Ish-kryeministri i vendit Sali Berisha në një postim të tij në rrjetin social Facebook, e ka cilësuar urrejtje primitive dhe akt të turpshëm kombëtar, vendimin e qeverisë për ndërrimin e fotos së Presidentit Nishani. “Një akt i turpshëm urrejtje primitive.

Neni 86 i Kushtetutës, pika 1 stipulon: Presidenti i Republikës është kryetari i shtetit dhe përfaqëson unitetin e Popullit. Edvin Kristaq Rama inauguroi detyrën e kreut të ekzekutivit me një akt të shëmtuar të urrejtjes klasore, atë të heqjes nga zyrat shtetërore të portretit të Presidentit te Republikës”, thotë ai.

Ndër të tjera, Berisha vazhdon se “ky vendim i turpshëm është jo një nderim, por një turp kombëtar për çdo shqiptar nga Skënderbeu të themeluesi i Pavarësisë sonë Ismail Bej Vlora e deri tek foshnja që ka hapur sytë mëngjesin e kësaj dite. Ky kryeministër, që me një urrejtje të papërmbajtur inaguron dëtyrën e tij duke shkelmuar Kushtetutën dhe përcaktimet e saj, përbën një rrezik të madh kombëtar”, shkruan Berisha në Facebook.


Shkrimi u publikua sot (17.09.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(a.ç/shqiptarja.com)