Nga ambientet e kryeministrisë, Berisha mbajti fjalën para gazetarëve të pranishëm.
Ndryshe nga deklarata e ardhur nga bashkëbisedimi i kryesocialistit me gazetarët, e cila përfundoi vetëm pak momente para se Kryeministri të dilte në deklaratën e tij, ku Rama tha se ekonomia ka shënuar rënie të vazhdueshme, Berisha u shpreh për të kundërtën. Sipas shefit të qeverisë, vendi ka shënuar rritje të qëndrueshme ekonomike për qytetarët.
Duke folur për arritjet dhe prioritet e qeverisë, Berisha tha se është arritur të ulet kriminaliteti në vend, ndërsa theksoi se reforma në drejtësi është objektivi i mazhorancës.
PRIVATIZIMI I HEC-eve
Kryeministri tha se procesi i privatizimit të 4 HEC-eve ka qenë transparent, pasi ofertat janë paraqitur para kamerave televizive. Megjithatë ai nuk preferoi të japë më shumë komente duke qenë se procesi është ende në vazhdim.
“Lidhur me hidrocentralet, një proces transparent, ofertat janë hapur para kamerave televizive. Unë komente të tjera në një proces në vazhdim nuk do t’i lejoj vetes. E rëndësishme është që zoti Rama të njohë veten e tij, por këtë e ka shumë të vështirë”
ALBPETROLI, BERISHA: PO ZBATOJME LIGJIN
Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve Berisha theksoi se procesi i privatizimit të ALBPETROL po zhvillohet sipas ligjit, ndërsa siguroi qytetarët se çdo qindarkë e marrë prej privatizimit do shkojë në favor të tyre.
“Të gjitha ofertat u hapën para kamerave. Një ofertë u paraqit. Në mënyrë absolute po ndiqet ligji. Ligji parashikon zgjatje afati për një muaj, dhe një herë kompanisë ofertuese. Është dhënë ky një muaj. Në këtë proces ne kemi konsulencë. Ndjekim ligjin. Në rast se përfundon me sukses, çdo dollar do kthehet në mirëqenie për qytetarët. Asnjë dollar prej tij nuk është përfshirë në buxhetin e shtetit prej 410 mld lekë”, tha shefi i qeverisë.
PUNESIMI
Kryeministri tha se “është botërisht e konfirmuar se Shqipëria gjatë këtyre viteve nuk pati rritje të papunësisë por pati ulje të saj falë reformave të qeverisë.”
INFRASTRUKTURA
Sipas shefit të qeverisë Shqipëria ka ndërtuar si asnjë vend tjetër me këto përmasa, 10 mijë kilometra rrugë.
“Ka qenë arritje madhore. S’besoj të ketë ndonjë vend tjetër me përmasat e Shqipërisë, që të ketë ndërtuar 10 mijë kilometra rrugë në një hark kohor të shkurtër”, u shpreh Berisha.
Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)