Berisha: Rama, ti rri në autobus
Unë do shtroj çdo kilometër rrugë

Berisha: Rama, ti rri në autobus<br />
Unë do shtroj çdo kilometër rrugë<br />
<br />
TIRANE- Konventa zgjedhore e Partisë Demokratike është hapur pasditen e sotme për të prezantuar programin e detajuar të pas zgjedhjeve në Pallatin e Kongreseve. Në këtë Konventë, secili deputet i PD-së paraqet programin për çdo fushë; punësimin, infrastrukturës, bujqësinë, tokën, pronën, shëndetësinë, emigrimin, median, arsimin, teknologjinë, etj.

Në fjalën e tij, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha tha se “uragani i fitores ndodhet në sallën e Pallatit të Kongreseve, duke garantuar fitoren, pasi shqiptarët e ndjejnë integrimin në BE”.
 
Kreu i PD u shpreh se "Sonte uragani i fitores së 23 qershorit ndodhet në këtë sallë. Le të përshëndesim qindra e mijëra qytetarë të Tiranës, Durrësit, Fierit, Vlorës, Korçës, Elbasanit, Lezhës, Kukësit, Peshkopisë e të mbarë Shqipërisë, që e shndërruan fushatën tonë në më të bukurën, që çon drejt fitores. Shqiptarët në të 4 anët e vendit e prekin, e ndjejnë, e perceptojnë, dhe janë të sigurtë se po ecin drejt Shqipërisë së zhvilluar, Shqipërisë europiane".

“Shqipëria po ecën drejt zhvillimit dhe Europës. Kjo është vepër e reformave të thella që ju mbështetët. Kemi mbështetur biznesin, fermerët dhe bujqësinë. Është vepër e sistemit arsimor, që ne mbështetëm për fëmijët tanë. Sot shqiptarët kanë 4-fishuar numrin e studentëve dhe të diplomuarve. Arsimi, dija është pasioni i madh i rinisë shqiptare. Jemi të vendosur për ta bërë sistemin arsimor sa më cilësor. Gara për arsimin është gara e të gjitha garave, që shqiptarët do ta fitojnë. Zhvillimi i Shqipërisë është rezultat i infrastrukturës moderne. Vendi do të bëjë të mundur shfrytëzimin e pasurive të saj natyrore në çdo fshat e qytet të vendit”, tha Berisha.

"Vite më parë Shqipëria vuante mungesën e energjisë elektrike. Problem që tashmë e kemi zgjidhur. Në vetëm pak vite kemi rindërtua 11 mijë km rrugë në të katër anët e Shqipërisë".
 
"Ti shok në autobus, duhet të të them dy fjalë, në Shkodër u the qytetarëve se janë ndërtuar gjithsej 600 km, por kur Shkodra qeshi dhe u tall me ty, dhe tu përgjigj se nga ura e Drinit deri ne Velipojë, nga Vermoshi, deri në Pukë, vetëm në këtë qark janë ndërtuar mbi 900 km rrugë. Nga autobusi yt, shpike shifrën tjetër 1500 km rrugë. Mjeran, i shkretë, i padijshëm, asgjë nuk di nga punët shtetërore. Ke qenë kryetar bashkie, o piktor i dështuar, e ke lënë qytetin tonë me 250 km rrugë dhe rrugica të paasfaltuara".
 
"Mësoje këtu , njëri i shkretë, i varfër, i mjerë në ide, se çdo rrugë ndërtohet me një projekt, mbi një preventiv, çdo preventiv zbatohet mbi një financim. Vetëm FSHZH me 320 mln dollarë ka ndërtuar 1520 km rrugë. Mësoje o piktor i dështuar se gjatë viteve të qeverisë sonë janë marrë për investime shkolla dhe ujësjellësa në 1.5 mld dollarë".
 
"Ti je nga ata që ke marrë jo pak, por i bëre rroga dhe rrush e kumbulla me Koçon, dhe e le Tiranën pa rrugë. Mësoje se financat janë financa, dhe shifrat e financave janë të qarta si rrezja e diellit. Dhe nuk lëvizin në çantat e Koços, dhe valixhet e Fidelit, po dalin nga Thesari i Shtetit deri tek investimet".
 
"Duke parë se realisht je i sëmurë nga rrugët, unë jam mjek, të ka zënë "Dhromofobia", nga "dhromos", greqisht do të thotë rrugë, "fobia" e dini vetë. Mendova të të ftoj 2-3 herë të inaugurojmë së bashku, po prapë druaj se kjo kurë nuk të nxjerr nga kjo sindromë që ke. Të përgëzoj se ke gjetur ilaçin, rri në autobus. Ti rri në autobus, unë shtroj rrugët".

BERISHA: VENDI YNE I REZISTOI KRIZES
 
Duke iu referuar situatës ekonomike në vendet fqinje dhe ato europiane gjatë viteve të fundit, Berisha tha se “reformat tona provuan se ekonomia i rezistoi krizës. Rritja jonë është e qëndrueshme. Shqipëria, vetëm dy javë më parë u rendit në 10 vendet me rritjen më të shpejtë të turizmit në botë”.
 
Berisha u ndal tek investimet në energjetikë, duke shtuar se “Vendi ynë sot ka një garë të jashtëzakonshme në fushën e energjisë. Po ndërtohen dhjetëra hidrocentrale. Shqipëria është në rrugën e zhvillimit të saj të shpejtë, sepse reformat e reja, fiskale dhe të gjithanshme do ta bëjnë Shqipërinë vendin më tërheqës për investime”.
 
Berisha tha se PD ka një program që garanton punësim, investime dhe lehtësira për biznesin në 4 vitet e ardhshme.
 
“Në jemi këtu për të garantuar se në katër vitet e ardhshme do të hapim 250 mijë vende punë, në 4 vitet që vijnë ky vend do të tërheqë 6 mld dollarë investime të huaja. Do të trefishohen grantet dhe mbështetja për fermerët shqiptarë. Në 4 vitet që vijnë do arrijë në 7 mln numri i turistëve që vizitojnë Shqipërinë. Në 4 vitet që vijnë do të zbarkojnë në Shqipëri gjigandët e “high-tec” dhe prodhimit të makinave, të përjashtuar për 5 vjet nga taksat dhe detyrimet tatimore”, tha Berisha.
 
Në mbyllje të fjalës së tij, kreu i PD tha se “vitet që vijnë janë vendimtare për projektin tonë të integrimit europian, që përbën dhe kolonën kryesore të Shqipërisë së zhvilluar. Ne do marrim statusin do fillojmë negociatat, do ecim së bashku dinjitozë drejt Bashkimit Europian”.

18:12 RIDVAN BODE: EKONOMIA JONE NUK RA NE RECESION
 
Shqipëria ia doli të mos bjerë në recension. Kjo është arritur falë programit qeverisës në këto 8 vite. Ulëm 2.5 herë taksën e kompanive, 2.3 herë taksën mbi dividendin, përgjysmuam taksën e punës dhe taksën e bizneseve të vogla. Ulëm në 1 euro tarifat për shërbimin dhe regjistrimin e biznesit.
 
Investimet e huaja nuk u ulën, janë 2 herë më të larta se vendet e rajonit, dhe seç kanë qenë në kohën e qeverisjes së mëparshme. Po kështu janë rritur eksportet. Është ulur papunësia, përtej zhvillimeve dramatike në rajon apo vendet e tjera europiane. Ne e dimë që këto arritje në periudhën e një presioni të madh të krizës globale janë të pamjaft4ushme. Ne e dimë mirë se çdo njëri ka të drejtë të kërkojë më shumë, dhe meriton më shumë nda sa ne kemi mundësuar, dhe ne jemi të vendosur të realizojmë këtë kërkesë të qytetarëve shqiptarë.
 
Edi Rama deklaron se ka një zgjidhje dhe ai. Vendi ka nevojë për më shumë punë, ndërsa ai premton rritje progresive të taksave. Vendi kërkon më shumë investime, mirëqenie, por ai sërish e ka zgjidhjen: rritje progresive e taksave. Por sa do t’i rrisë nuk dihet, atë e di vetëm Rama dhe Koçon. Ne nuk jemi dakord me një gjë të tillë. Kjo nuk është çështje programesh, por çështja themelore e zhvillimit të vendit. Dhe ne nuk rreshtim së denoncuari këtë tentativë të Edi Ramës për të shkatërruar zemrën e zhvillimit tonë ekonomik, që është biznesi.
 
Për të sheqerosur programin e rritjes progresive të taksave, u thotë se do heqin taksën e biznesit të vogël. Por dardha e ka bishtin mbrapa. Por si çdo qytetar, ata duhet të paguajnë taksën e të ardhurave personale. Dhe të jeni të bindur se do të paguajnë 5 herë më shumë, krahasuar me taksën që paguajnë aktualisht.
 
Ne do të vijojmë të ulim taksat, pasi rritja progresive e tyre njihet si rruga më e keqe për të penguar zhvillimin. Leksioni i parë është që taksat e larta vrasin investimet dhe punësimin.
T’i bëjmë ballë tentativës së këtij aventurieri ekonomik që përmes rritjes progresive të taksave synon të pengojnë zhvillimin, integrimit, përmirësimin.

18:04 JOZEFINA TOPALLI: NE DO FITOJME ZGJEDHJET E 23 QERSHORIT
 
Në vend janë bërë investimeve konkrete dhe të prekshme. Rindërtimi i rrugëve i ka ardhur në ndihmë bujqësisë dhe biznesit. Po kështu kemi investuar në arsim, dhe ujësjellës kanalizime. Po kështu kemi ulur taksat dhe kemi ulur barrierat për investitorët. Kjo ka bërë që të rritet numri i bizneseve të mesme dhe të vogla, ç’ka ka bërë të krijohen më shumë vende pune. Investime të mëdha janë bërë në energjetikë. Kemi financuar 48 mijë projekte në bujqësi, si dhe për subvencionimin e fermerëve.
 
Ne duam që çdo shqiptar të jetë i sukseshëm. Ne nisëm procesin e aplikimit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, dhe kemi përmbushur kërkesat, si dhe kemi miratuar ligjet e lidhura me zhvillimin e procesit të integrimit,. Me përjashtim e tre ligjeve, për të cilat duheshin vetëm 3 sekonda dhe vendi merrte të drejtën e anëtarësimit. Ne kemi ecur përpara, pavarësisht bllokimit. Ne jemi kaq pranë marrjes së statusit. Ne e futëm Shqipërinë në NATO, hoqëm vizat me BE, dhe ne do të bëjmë edhe anëtarësimin e vendit në BE. Kjo do të mundësojë krijimin e sa më shumë vendeve të punës.
 
Ky zhvillim i realizuar deri tani, është real. BB na ka cilësuar si ekonomia me rritjen më pozitive në Europë. Po kështu renditemi mes vendeve më favorizuese për investime në Ballkan. Ne e dimë që ka qytetarë që janë në vështirësi, dhe e dimë që nuk është e lehtë, kjo është arsyeja që ne duam të bëjmë më shumë. Prandaj PD ka një program konkret për rritjen e vendeve të punës. Ne kemi bërë një rrugë të gjatë përpara. Me 23 qershor ne do fitojmë. Ne do ecim përpara për integrimin, në krahun tjetër dhëndri i autobusit do mbetet me dajren, po deshi le të marri dhe fyellin.

17:45 LULZIM BASHA: RAMA PENGOI ZHVILLIMIN E TIRANES

Edi Rama kishte kohë ta bënte Tiranën një qytet të zhvilluar, në të cilin mund të lulëzonte biznesi. Por për këtë duhet të kesh një parim. Por ai e kishte një parim, thoshte; të fitojmë unë dhe miqtë e mi. Nuk dua të bëj fushatë negative, por të tregosh të vërtetën nuk është fushatë negative. Tirana humbi për 11 vite shanse të mëdha, për shkak të modelit Rama. Ose ai ka një koncept ndryshe nga ne për Tiranën europiane, por nëse ky është koncepti i tij, atëherë është kuptuar se përse e ka penguar integrimin. Zoti Rama ,ne jemi zotuar për të investuar në çdo rrugë, pasi për mua dhe çdo banor, Tirana fillon nga pragu i derës i çdo qytetari. Thotë se legalizimet do t’i bëjë për 1 vitin, si mund ta besojmë këtë kur nuk e bëri për 11 vite.

Rriti taksat, por ato nuk i paguanin të gjithë. Edhe këtu vlente parimi “unë dhe miqtë e mi”. Në hoqëm dhe reduktuam një sërë taksash. Kjo bëri të rritet numri i bizneseve dhe të punësuarve.
Në një sallë me dialekt tirone e dajre lodre, u përpoq të tregonte dashurinë për Tiranës, por a nuk i shpalli zona muze, dhjetëra zona që nuk mund t’ua jepte miqve të tij.

Tirana ka sot një plan të zhvillimit urban, ku është dëgjuar dhe marrë parasysh zëri i çdo qytetari. U deshën 2 vite për arritjen e këtij rezultati. Pse në 11 vite nuk e gjetën kohë për të bërë diçka të tillë. Por atij i interesonin interesat e miqve të tij. Për ne qytetarët mbeten të parët.

Shumë projekte madhore pritet të nisin brenda verës. Ne duhet të ecim përpara për më shumë zhvillim, punësim dhe mirëqenie.

17:40 EDUARD HALIMI: SISTEMI GJYQESOR ESHTE DIXHITALIZUAR
 
Jemi i pari vend ne rajon që kemi instaluar sistemin dixhital të monitorimit të të burgosurve me byzylyk. Po kështu jemi vendi i parë në rajon që kemi instaluar portalin “One Stop Shop”. Po kështu kemi dixhitalizuar të gjithë sistemin gjyqësor. PD ka qenë gjithmonë tre ligjet që do na mundësojnë integrimin në BE.

17:33 MAJLINDA BREGU: RAMA NDERROI MENDJE PER 3 LIGJET, DO T’I VOTOJME
 
Ju përgëzoj që vini këtu me dëshirën e lirë, dhe jo siç thotë kreu i PS-së, me detyrim. Ne do të vazhdojmë të investojmë aty ku ende nuk kemi mbërritur. Na vlerësuan në tetor për të ecur përpara në integrimin europian. Këto 3 ligje nuk do ishin kthyer në refrenin tonë të përditshëm, nëse votimi i tyre nuk do të kishte hasur në talljen e Ramës, që pengoi votimin e tyre. Dje, pas asnjë argument ai ndërroi mendje për të votuar tre ligjet, shqiptarët e kuptuan shumë mirë. Ne do t’i votojmë 3 pengjet e Edi Ramës. Tashmë që Ramës i duhet të shpëtojë fytyrën e tij para zgjedhjeve, pranon t’i votojë. Ditën kur Edi Rama do t’i votojë tre ligjet, ne nuk do ta falim, do t’i themi ç’kemi për të thënë. Pasi ai nuk punon për të tjerët, por vetëm për karrigen e tij.
Sot në Kamëz iu tha shqiptarëve në takim: Berisha iu futi në NATO dhe jeta juaj u bë natë.
Zoti Rama askush as në kohën e Komunizmit, nuk do kishte guxuar ta kishte thënë këtë, vetëm ti mund të mohosh se investimet e huaja u trefishuan pas anëtarësimit në NATO. Vetëm ti mund të mohosh faktin, që një Shqipërinë e tërë nga Kosova në Çamëri e vlerëson anëtarësimin në NATO. Shqiptarët ta kanë prerë biletën që bashkë me autobusin tënd të marrësh rrugën e tatëpjetës. Bjeri dajres e daulles, ato bien për humbjen tënde.
 
17:29 ALDO BUMÇI: DO BEJME GJITHÇKA PER INTEGRIMIN E KOSOVES
 
Do bëjmë gjithçka që Kosova të integrohet në mekanizmat rajonalë dhe të Bashkimit Europian. Në liberalizuam vizat, plotësuam kushtet që na caktuar ndërkombëtarët. Sot shqiptarët janë të lirë të udhëtojnë. Ne bëmë gjithçka për të fituar statusin e vendit kandidat. Por Edi Rama e bllokoi statusin duke mos i votuar 3 ligjet. Integrimi do të ofrojmë më shumë kushte për shëndetësinë, arsimin, punësimit, etj.

17:12 HALIM KOSOVA: DO VENDOSIM PACIENTIN NE QENDER TE SHERBIMIT MJEKESOR
 
Së bashku mund ta çojmë përpara sistemin shëndetësor në vend. Ne jemi dëshmitarë të ecurisë pozitive në uljen e vdekshmërisë foshnjore dhe amësore. Janë investuar shumë të mëdha në pajisje moderne spitalore, dhe aparatura mjekësore.
 
Po kështu investohen shuma të mëdha për rimbursimin e ilaçeve për kategoritë e përcaktuara me ligj. Sot sfida më e madhe e sistemin shëndetësor kudo në botë është përballimi i kostove të nevojshme financiare, që janë në rritje çdo ditë.
 
Blerja e aparaturave moderne është prioritet i qeverisë, ndërsa përdormi me efikasitet i tyre është detyra jonë e përditshme. Rritja e pagave të bluzave të bardha është prioritet i qeverisë.
 
Ne vendosim pacientin në qendër të vëmendjes, dhe vëmë fokusin në rritjen e cilësisë së ofrimit të shërbimit shëndetësor. Kështu shpërblimi i mjekëve, infermierëve dhe stafit mjekësor, do të bëhet në sajë të performancës.
 
Duhet të mirëpërdoren mirë fondet e përcaktuara për sektorin e shëndetësisë. Po kështu është rritur vëmendja ndaj shërbimit të urgjencës. Përveç medikamenteve, janë vënë në dispozicion edhe materialet e nevojshme për ofrimin e shërbimit të duhur mjekësor.

17:03 GENC POLLO: PD KA INVESTUAR NE ZHVILLIMIN E TEKNOLOGJISE
 
Partia Demokratike ka punuar për t’i dhënë mundësinë qytetarëve të kenë sa më shumë akses në internet, dhe po kështu të përdorin sa më shumë teknologjinë e informacionit. Kemi ulur kostot e telefonisë celulare. Kemi mundësinë të komunikojnë dhe të marrim informacione edhe në rrjetet e ndryshme sociale. Çmime më të ulëta telefonie, do të thotë se të gjithë shqiptarët mund të flasim më gjatë dhe më lirë me miqtë e tyre në të gjithë botës. Së shpejti do të vihet në përdorim edhe shërbimi 4G. Sot mund të aplikojmë online për patentën e shoferit, për maturën online, për gjurmimin e regjistrimit të biznesit. Kjo bën që transparenca e prokurimeve publike të jetë e dukshme. Dixhital është tashmë edhe sistemi doganor. Bizneset mund t’i paguajnë taksat online. Ky proces i kursen kohë dhe shpenzime qytetarëve.

16:51 ARDIAN TURKU: JANE RIKONSTRUKTUAR SHKOLLAT
 
Janë bërë investime konkrete në shkolla. Duke krijuar ambiente të mjaftueshme për të gjithë. Rezultatet e përmirësimeve janë të dukshme, pasi janë ndërtuar dhe rehabilituar më shumë se 1300 shkolla. Janë instaluar kompjuterë dhe është vendosur internet në shkolla. Ka më pak nxënës që ndjekin mësimin mbasdite.
 
16:48 ENXHI TURTULLI: ARSIMI ESHTE ZHVILLUAR
 
Maturantja nga Tirana, tha se “zhvillimi në vend është i prekshëm dhe i dukshëm, e sidomos kur udhëton e lirë”. Arsimi po njeh zhvillim, dhe shkollat kanë laboratorë me kompjuterë dhe internet. Kjo na ndihmon që brezi ynë të përgatitemi në mënyrë të tillë që të jemi të aftë për tregun e punës. Partia Demokratike mendon për rininë, për punësimin për mirëqenien.

16.42 SOKOL OLLDASHI: PD KA NDERTUAR RRUGE NE FSHAT DHE QYTET
 "Ne kemi ndërtuar këto rrugë, pasi ne besojmë se investimet në rrugë, shkurtojnë kohën e përshkrimit të distancave, i japin më shumë nxitje zhvillimit të bujqësisë, biznesit, etj. rrugët dhe zhvillimi janë e njëjta gjë. Ndërkohë ka ca të tjerë që kanë humbur rrugën, janë ende në autobus. Veprat tona flasin vetë. Në kemi ndërtuar mbi 10 mijë km rrugë.
Në rrugën e kombit kalon edhe Edi Kokëdhima po nuk e sheh, investimin e bërë. E njëjta gjë është bërë edhe me investimet në rrugët e jugut të Shqipërisë. Investimet në rrugë kanë shkurtuar kohën e përshkrimit të distancave për të çuar prodhimet bujqësore, nga zonat rurale drejt qytetit. Ne rindërtuam rrugën nga Vlora në Sarandë. Rruga është aty, kalon nga fshati I Koços. Për të shijuar alpet e veriut duhej një ditë e gjysëm, sot duhen 3 orë. Bjeshkët e namura mbeten të namura vetëm prej Edi Kokëdhimës. Për të sjellë frutat e fushës së Korçës në Tiranë duhen 5 orë sot dy. Dardha e Edi Kokëdhimës e ka bishtin prapa. Sot po ndërtojmë unazën e madhe të kryeqtetit për t’i dhënë lirshmërinë më të madhe kryeqtetit. Ne kemi bërë shumë po r ka ende shumë për të bërë sepse këto janë rrugët e një Shqipërië të zhvilluar e europiane”

14.37 ENO BOZDO: ZHVILLIM NË SEKTORIN E ENERGJISË
 
Investimet në sektorin e ujit, kanalizimeve dhe energjetikës kanë sjellë zhvillime të konsiderueshme për jetën e familjeve shqiptare, por edhe ekonominë e vendit. Sot askujt nuk i mungon energjia elektrike, dhe mos harrojmë se para se ne të vinim në pushtet zona të tëra vuanin mungesën e energjisë elektrike për orë të tëra. Investimet në energjetikë dhe hidrocentrale kanë rritur numrin e të punësuarve.

ORA 16:35 ERVIN BYTYÇI: NDËRTIMI I RRUGËS SË KOMBIT, NJË ZHVILLIM I RËNDËSISHËM
 
Ndërtimi i rrugës së Kombit është një nga ndryshimet më të rëndësishme në jetën time, pasi është një zhvillim që ka ndryshuar radikalisht jetën time. Po kështu është edhe për shumë qytetarë të tjerë. Tashmë distanca mund të përshkohet brenda një afati më të shkurtër kohor.

16:30 PATOZI: BERISHA PUNON PER TE ÇUAR PARA SHQIPERINE

Në fjalën e tij, deputeti Astrit Patozi, u ndal tek investimet e bëra nga qeveria gjatë këtyre 8 viteve. Kryetari i Grupit PD-së Astrit Patozi tha se Sali Berisha po punon për të  çuar para Shqipërinë.

“Sot do flasim për zgjidhjen mes një lideri që po kërkon ta kthejë Shqipërinë vite dhe vite pas, dhe liderin dhe koalicionin e Sali Berishës që po kërkon ta çojë Shqipërinë para, për një Shqipëri të zhvilluar e europiane Përpara”-  tha Patozi.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Grupi i deputetëve italianë përfundon vizitën në Shqipëri: Krah jush drejt BE-së! Përfshihuni në debatet brenda unionit

Grupi i deputetëve italianë përfundon vizitën në Shqipëri: Krah jush drejt BE-së! Përfshihuni në debatet brenda unionit