TIRANE – Kryeministri i vendit Sali Berisha i bëri sërish ftesë kryesocialistit Rama për të votuar 3 ligjet e integrimit, kusht nga Komisioni Evropian për marrjen e statusit kandidat në BE, të cilat kërkojnë miratimin me 3/5 në Kuvend.

Gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike në ambientet e kryesisë së Kuvendit, Berisha tha se dëmi që opozita i ka shkatuar vendit me mosvotiin e tyre është i pariparueshëm, por megjithatë insistoi në ftesën e tij ndaj Ramës për t’i votuar dhe për të reflektuar mbi politikën bllokuese të opozitës.

“Rama t’i votojë ato 3 ligje, pavarësisht se dëmin e ka bërë dhe dëmi është i pariparueshëm. Mesazhi që u dërgua në Bruksel ishte qartësisht negative. Kur ju s’votoni për veten tuaj pse do votojmë ne për ju, kur ju s’votoni 3 ligjet. Megjithatë procesi i integrimit është i gjatë, kompleks dhe i bëj thirrje që në reflektim për dëmin e madh që i bëre vendit t’i votojmë ato 3 ligje dhe në nderim të 100-vjetorit. Është kalkulim i gabuar nëse mendon se votimi i tyre ndihmon qeverinë. Ai ndihmon të gjithë shqiptarët. Mos votimi do jetë i rëndë ndaj atyre që përdorin pushtetin e qytetarëve për t’i bllokuar. Voto të dëshmosh se nuk mund të qendrosh në një politikë bllokuese”, tha shefi i qeverisë në fjalën e mbajtur gjatë mbledhjes së grupit.

BERISHA: BUXHET HISTORIK, OPOZITA DUHEJ TA VOTONTE
Duke iu referuar buxhetit të shtetit të vitit 2013 Berisha rideklaroi se është buxheti më i madh në historinë e vendit, ndërsa u shpreh se do kishte dashur që votën për këtë buxhet ta kishte dhënë edhe opozita. Ai theksoi se ky buxhet shkon vetëm për mbështetje në punësimin e qytetarëve dhe se përkushtohet në investime në infrastrukturë.

“Buxheti 410 miliardë, më i madhi në histroinë e vendit. Është e dhimbshme se si kjo opozitë nuk paraqiti qoftë edhe një amandament të vetëm për krijimin e vendeve të punës. Ka meritën të jetë buxheti më i madh në historinë e vendit, pavarësisht krizësh që ka pllakosur botën. Buxheti me shqyrtimin tuaj shkoi edhe më afër interesave direkte të qytetarit. Vota juaj për këtë buxhet ishte para së gjithash mbështetje për punësimin e qytetarëve shqiptarë. Buxheti përkushtohet vetëm në investime në infrastrukturë. Investime të mëdha në rrugë, në kanalizime, ujësjellësa, shkolla, qendra shëndetësore, këto janë investime në të cilat punësohen mijëra e mijëra qytetarë të vendit. Mirë do ishte ta votonin këtë buxhet, por nuk kanë votuar ndonjëherë, kanë bërë betejën kundër Rrugës së Kombit, na mbajtën deri në 5 të mëngjesit në Kuvend. Unë nuk besoj se kjo është e shëndetshme për opozitën.

BERISHA: RAMES S’I LEVERDIS SUKSESI, I DUHET KERRICI
Shefi i qeverisë akuzoi kryesocialistin Rama se po përhap në botë një imazh jo të vërtetë sa i përket zhvillimit të bujqësisë në Shqipëri. Duke iu referuar fotos së Edi Ramës i cili ka dalë ngjitur me një gomar gjatë takimit me fshatarët e zonës së Maminasit, Berisha tha: I del para kërriçit dhe paraqet kërriçin si hero të bujqësisë, poston në të gjithë botën foton e tij me kërriçin sikur zbuloi Amerikën, për t’i thënë botës se ja këtu ka mbetur bujqësia shqiptare, atij nuk i leverdis suksesi tani i duhet kërriçi.”

Sipas shefit të qeverisë pamje reale e bujqësisë së vendit është ndryshe.
“Pak ditë më parë po bisedoja me specialistët e ullinjve dhe ishin shumë entuziastë për projektin kombëtar. Më thanë: Me këto ritme të shpejta të krijimit të ullishteve, problem më madhor del krahu i punës për vjeljen e tyre. Sipas specialistëve për vjeljen e ullirit duhen 1.2 milionë ditë pune”, u shpreh Kryeministri.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)