TIRANE - Edhe një herë ftoj zotin Rama të votojmë tre ligjet që kërkon Brukseli dhe që kanë muaj që presin në parlament. Është kjo deklarata e kryeministrit Berisha dhënë sot nga komuna e Farkës ku mori pjesë në përurimin e rikonstruksionit të digës së liqenit të Farkës dhe fillimin e projektit për mbjelljen e pemëve dekorative në parkun e këtij liqeni.

“Unë, në mënyrën më të sinqertë, dua t’i them se është gabim fatal të rrahë gjoksin se mund të bllokojë. Nuk është kjo, ajo që qytetarët e këtij vendi presin nga ti! Nuk është kjo, ajo që mund të imagjinojnë se mund të bësh! Shqiptarët, kudo që janë, pavarësisht nga bindjet partiake, pavarësisht nga vendi ku ndodhen, askush, i madh e i vogël, nuk arrin kurrë të kuptojë sesi një forcë politike, ndër më kryesoret e vendit, refuzon të votojë këto ligje, që kërkohen në mënyrë të drejtpërdrejtë nga Komisioni Europian. Çdo vonim i tyre u jep të drejtë të tjerëve të mendojnë se këta njerëz ose janë hipokritë e nuk e duan, ose janë të papjekur, të paqytetëruar e nuk kanë interesa kombëtare e shoqërore. Këto 100 vjet kanë faktuar se vërtet ka pasur shqiptarë aventurierë, të cilët kanë bërë gjithçka, kundër vendit të tyre, por, në tërësi, gratë e burrat, vajzat e djemtë e këtij vendi ia kanë dalë me vullnetin e tyre pozitiv, ta sjellin sot Shqipërinë, një vend të lirë e të pavarur.” , tha kryeministri Sali Berisha.

Shefi i qeverisë theksoi se e pret kryesocialistin Rama në çdo moment për të debatuar mbi “tre projektligjet e progresit”., pasi çdo orë që kalon, sipas tij është një hap larg integrimit.

“E ftoj zotin Rama të ulemi në çdo kohë, në qoftë se është problemi për të debatuar tre ligjet, për t’i amenduar, nëse kanë mendime për t’i përmirësuar. Çdo orë që kalon është orë shumë e çmuar. Në natyrën time, unë jam optimist, por kur shoh se, pasi kanë shkuar në gjykatë për gjykimin e thelbit të çështjes, e shtynë gjykimin dhe kërkuan që ai të bëhet pas datës 22 dhe kur gjykatësit nuk i dëgjuan, pothuaj u tërhoqën nga gjykimi, kjo fakton se me këtë vendim, qëndron një akt shumë, shumë i papërgjegjshëm. Një akt me të cilin synohet t’u bllokohet shqiptarëve, në 100 vjetorin e pavarësisë së tyre, marrja e statusit të vendit kandidat në Bashkimin Europian. Le të jem unë i gabuar! Por sërish e ftoj zotin Rama, të ulemi sot pasdite, në darkë, nesër, në çdo kohë, për tre ligjet, të bëjmë çdo përmirësim që ata propozojnë dhe ne nuk kemi asnjë kundërshtim, në mënyrë që ëndrra europaine e shqiptarëve të marrë një realizim tjetër, të ri.”, u shpreh kryeministri.

Gjatë ditës së sotme, kryeministri vizitoi edhe panairin agro-ushqimor “Baçja e Tironës”, me produkte të fermerëve të komunave Farkë, Petrelë, Baldushk dhe Bërzhitë. Me një fond financimi prej 36 milionë lekë të Ministrisë së Bujqësisë është realizuar rikonstruksioni total i digës, ndërtimi i veprave të artit, sistemimi ujërave, asfaltimi dhe betonimi i kurorës së digës. Rezervuari i liqenit të Farkës ka një kapacitet të projektuar 9.2 milionë m3, i parashikuar për të ujitur rreth 1900 hektarë tokë bujqësore, por edhe për furnizimin me ujë të pijshëm të një pjesë të zonës së Farkës. Me investimin e kryer rritet siguria dhe qëndrueshmëria e digës. Ndërsa me financim rreth 40 milionë lekë të Ministrisë së Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave do të bëhet mbjellja e pemëve dekorative, të llojeve të ndryshme, në parkun liqenit të Farkës.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)