Berisha: S’jam i përfshirë në
aferën e CEZ,për Metën nuk e dija

Berisha: S’jam i përfshirë në<br />aferën e CEZ,për Metën nuk e dija
TIRANE- Ish-kryeministri Sali Berisha mohon që familjarët e tij të kenë qenë ndërmjetës të kompanive që lidhën marrëveshje me CEZ, për mbledhjen e borxheve. Në projektligjin që demokratët kanë depozituar në Kuvend, për thirrjen e një organi hetimor të huaj për aferën e CEZ, kërkohet hetim vetëm për shoqërinë DIA, ndërsa përjashtohen 6 të tjera, të cilat sipas mazhorancës kanë patur si ndërmjetës familjarë të ish kryeministrit Berisha.

Gjatë një takimi me gazetarët dje, Berisha u shpreh se akuzat ndaj tij janë shpifje, ndërsa theksoi se ai dhe familjarët e tij janë të hapur çdo hetim. “Asnjë kompani nuk ka lidhje me mua dhe me të afërmit e mi në mënyrë kategorike. Është shpifje, siç kanë shpifur. Le të më nxjerrin njërin, natyrisht kam mënyrën time të reagimit, të afërmit e mi do të kenë mënyrën e tyre të reagimit dhe do tu përgjigjem më transparencë të plotë në sallën e gjyqit ose kudo tjetër, siç kanë praktikën e tyre.

Le të hetohet që ditën e parë, plotësisht dakord”, u shpreh Berisha. Indirekt ish kreu i qeverisë iu përgjigj edhe atakimit të kryetarit të PD, Lulzim Basha, i cili ka sqaruar se dorëheqjen e Ilir Metës e kërkon për akuzat kur ishte ministër i qeverisë “Berisha”, duke theksuar se nuk kishte asnjë dijeni për ndërhyrjen e ish ministrit të Jashtëm në marrëveshjen CEZ-DIA. “Absolutisht asnjë dijeni. Unë nuk kam ditur asnjë gjë, sepse nuk ka qenë detyrë e asnjë ministrie. Ai ka qenë veprimtari private e CEZ.

Nëse ndokush ka dashur të fusë miqtë e vet, padiskutim që është me dorë në tavë”, tha ai. Teksa kryetari i Kuvendit, Ilir Meta ka shprehur dakordësinë e tij të plotë për hetimin ndërkombëtar, Berisha i bëri thirrje kryeministrit Edi Rama që të pranojë projektligjin e opozitës.

“Ilir Meta u bashkëngjit, me kërkesën time për hetim ndërkombëtar dhe unë këtë e vlerësoj. Ai thotë të bëhet hetim ndërkombëtar. Ndaj dhe jam sot këtu për t’i bërë thirrje Edi Ramës të pranojë hetimin ndërkombëtar për aferën e CEZ-it, nga dita e parë e ardhjes së tij në Shqipëri, deri në ditën e firmosjes së marrëveshjes famëzezë, më të cilën shqiptarët i gjobitën 1200 euro për person”, theksoi Berisha. Ai iu përgjigj edhe pretendimeve të kreut të LSI, Ilir Meta i cili ka lënë të kuptohet se ka një marrëveshje e PD-PS kundër tij, duke theksuar se bashkëpunimin e sheh vetëm për hetimin ndërkombëtar.

“Mbështes fuqimisht, mbështes një bashkim votash për të votuar hetimin ndërkombëtar”. Duke insistuar te marrëveshja e qeverisë me CEZ, Berisha iu referua edhe deklaratës së Janez Kopac, Drejtorit Ekzekutiv të Sekretariatit të Komitetit të Energjisë në Vjenë, i cili tha se Çekia vuri kusht marrëveshjen për veton e statusit, duke e quajtur këtë si pazarin më të madh të bërë nga pasardhësi i tij në kurriz të shqiptarëve, me implikimin e ish Komisionerit Stefan Fyle.
 

Basha: “Veto” e Çekisë, justifikim i Ramës për të mbuluar aferën
“Të ishte i interesuar për statusin, s’do e bllokonte 3 vjet”
 
Argumentet mbrojtëse të qeverisë se marrëveshja me CEZ-in u arrit pasi Çekia kushtëzonte votën për statusin e vendit kandidat në BE, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i quan justifikime për të mbuluar mega-skandalin. Sipas opozitës, përmes marrëveshjes së Edi Ramës me kompaninë energjetike CEZ, kësaj të fundit iu falën 600 milionë euro. “I falëm CEZ 600 milion euro, se Çekia mund të vendoste veton për statusin e vendit kandidat për në BE! Ky është justifikimi më i fundit i Edi Ramës.

"Veto" është argument për mega-aferën e CEZ. 600 milion eurot e shqiptarëve janë falur dhe ndarë. Gjithçka tjetër është përrallë e kokoshit 200 milionësh. Por nuk e ha më njeri këtë çorbë”, u shpreh kryetari i PD, Basha. Sipas tij, kryeministri është i pabesueshëm kur thotë se tërheqja nga arbitrazhi në gjyqin me CEZ, u bë për statusin, pasi e bllokoi atë 3 vjet me radhë. “Po a nuk ishte Edi Rama që bllokoi statusin e vendit kandidat për kryetarin e qarkut të Fierit? Më i rëndësishëm kreu i qarkut Fier se 600 milion euro të shqiptarëve? Nëse do të ishte kaq i interesuar për statusin

Edi Rama nuk e bllokonte tre vjet me radhë”, tha ai. Kreu i opozitës paralajmëroi se do t’i shkojë deri në fund hetimeve për zbardhjen e aferës. “Do t’i shkojmë deri në fund kësaj afere. Këto janë lekët e shqiptarëve të cilët sot po burgosen e shtyhen drejt vetëvrasjes për 2000 lekë”, tha Basha.


Kush ngul çadrat para zyrës së Ramës, fiton betejën
 
Ish kryeministri Sali Berisha bëri sërish thirrje për revolucion demokratik, për të larguar qeverinë Rama-Meta. Sipas tij, mazhoranca është në rrokullisje dhe skandalin e fundit të CEZ, Edi Rama dhe Ilir Meta po e përdorin kundër njëri-tjetrit. “Faktikisht vendi qeverisje nuk ka dhe po të kishte përgjegjësi më minimale kjo situatë nuk vazhdonte as 4 ditë.

Por ka një alternativë tjetër, ëndrra e revolucionit demokratik , i cili do ti krrejë këta nga pushteti. Me protesta të qëndrueshme dhe e shihni ju, se këta janë në rrokullisje. I pari grup që vendos të ulë çadrat para zyrës së Edi Ramës dhe të qëndrojë aty deri në largimin  tij fiton betejën”, u shpreh Berisha. 


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 30 Shtator 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)  

  • Sondazhi i ditës:

    A mendoni se protestat mund ta forcojnë pozicion politik të PD-së?



×

Lajmi i fundit

Champions League/ Juventus monumental, me dhjetë lojtarë përmbys 2-3 Leipzig! Lille mposht Real Madridin, Aston Villa fiton me Bayern! Shënon Gjimshiti, tri pikë Liverpool

Champions League/ Juventus monumental, me dhjetë lojtarë përmbys 2-3 Leipzig! Lille mposht Real Madridin, Aston Villa fiton me Bayern! Shënon Gjimshiti, tri pikë Liverpool