TIRANE - Ish-kryeministri Sali Berisha ka shfrytëzuar “Festën e Mësuesve” për të akuzuar qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama. Në një status në faqen e tij në Facebook, deputeti demokrat shprehet se që prej 3 vitesh, “ka vetëm mekanizma shtypjeje e shantazhi për të vështirësuar jetën dhe punën e mësuesve”.
 
Sipas Berishës, mungojnë investimet në shkolla dhe mësuesit janë larguar nga puna për t’u zëvendësuar me militantë partie. Ndërsa, me ndryshimet në ligjin për arsimin e lartë, Berisha gjykon se kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla goditën të varfrit. 

“Prej tre vitesh nuk ka rritje, por de facto ulje të pagave të mësuesve dhe rritje me 40-130% të tarifave të studenteve për shkollat e larta”, shkruan ai. 

Sipas deputetit demokrat, me ligjin e ri të arsimit të lartë, Rama dhe Nikolla, të cilën Berisha e quan kukullën e kreut të Qeverisë, “mbylli dyert e universiteteve për të varfrit e vendit dhe kaloi barrën e rënde të shkollimit universitar në familjet shqiptare duke i zhytur ato me sistemin e kredive që duhet të marrin për shkollimin e fëmijëve në borxhe të mëdha e të papërballueshme”.

Redaksia Online
m.b/Shqiptarja.com