Duke folur pas punimeve të Samitit, Berisha akuzoi kreun e Partisë Socialiste Edi Rama si shkaktar të bllokimit për marrjen e statusit të vendit kandidat. Berisha theksoi se shqiptarët kanë potencial për të shembur çdo mur, në këtë mënyrë do të shembin dhe murin e bllokimit të Ramës.
“Sot ishte një seancë e zgjatur, në të cilën pati vend si për çështjet qendrore, për të cilat mblidhet sot Samiti i Bashkimit Europian, ashtu dhe për problemet e vendeve të veçanta. Siç dihet Shqipëria, Komisioni Europian ka bërë një raport pozitiv, por ka përcaktuar votimin e tri ligjeve si një detyrim në mënyrë që t’i bëjë rekomandimin përfundimtar Këshillit të Ministrave të Bashkimit Europian. Këto tre ligje janë mbajtur dhe mbahen peng nga kryetari i opozitës, i cili beson se duke bllokuar statusin për shqiptarët dëmton qeverinë dhe bën një kalkulim shumë të gabuar. E vërteta është se shqiptarët kanë të gjithë fuqinë, potencialin për të shembur çdo mur. Siç rrëzuan murin e bashkisë, siç rrëzuan ‘murin e Berlinit’ dhe e festuan, tani do të rrëzojnë edhe murin bllokimit të zotit Rama. Por ky është një realitet dhe, natyrisht, unë pata një diskutim. Mora sigurinë se partia popullore europiane do të shqyrtojë në mënyrë të veçantë këtë situatë të krijuar nga ky bllokim absurd i një njeriu për interesa të karriges së tij të pushtetit”, u shpreh Berisha.
BERISHA: ALBANOFOBIA, I DEMSHEM PER BASHKEPUNIMIN NE RAJON
“Natyrisht, në ekzpozenë time bëra një paraqitje më të gjerë të zhvillimeve në Shqipëri. Në takimet që para me kolegët e mi i njoha ata me të gjitha zhvillimet, me situatën në rajon, e cila me gjithë përparimin e njohur sërish vuan nga albanofobia, një faktor ky i dëmshëm për bashkëpunimin dhe klimën bashkëpunuese në rajon. Albanofobia është një qëndrim që I ka rrënjët në padrejtësitë më të mëdha të bëra ndaj shqiptarëve dhe më pas përpjekja për ti legjitimuar këto padrejtësi në forma nga më të ndryshmet. Edhe një herë theksoj se PD mbetet tërësisht e vendosur në projektin e saj, të bashkohemi me njëri-tjetrin, të bashkohemi me Europën. Kjo është përgjigja më e shkëlqyer që merr albanofobia në rajonin tonë", u shpreh Berisha.
Në punimet e këtij Samiti, ku ishin pjesëmarrës Kancelarja gjermane Angela Merkel, Kryeministri i Spanjës Mariano Rajoy, Kryeministri i Luksemburgut Jean Claude Juncker, Kryeministri i Hungarisë Viktor Orban, Kryeministri i Polonisë Donald Tusk, Kryeministri i Suedisë Frederik Reinfeld, Kryeministri i Portugalisë Pedro Passos Coelho, Kryeministri i Sllovenisë Janez Jansa, Kryeministri i Greqisë Antonis Samaras, etj., u diskutua për çështje qendrore të Bashkimit Europian dhe për problemet e vendeve të veçanta.
(eç/shqiptarja.com)