Dje kryeministri Berisha ka qënë në Presidencë dhe ka zhvilluar një takim kokë më kokë me presidentin e vendit, Bujar Nishani. Pavarësisht se ka qënë një takim konfidencial dhe Presidenca ka ruajtur heshtjen, burime nga selia kryeministrore bëjnë me dije se shqetësimi kryesor që ka detyruar Berishën të takojë Nishanin ka qënë zëvendësimi i Lllallës i cili do të shkojë në krye të Prokurorisë së Përgjithshme. Dhe duke qënë se Berisha nuk shkon asnjëherë "duarbosh" në Presidencë, mësohet se ka paraqitur dhe një emër që është preferencë e tij, pikërisht atë të anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, që i ka skaduar mandati njëherësh dhe ish-kandidat për President, Xhezair Zaganjori.

Pikërisht Zaganjori mendohet të jetë kandidatura që pritet të ngjitet në krye të Inspektoratit të Deklarimit dhe Kontrollit të pasurisë së zyrtarëve të lartë në vend të Adriatik Llallës. Mësohet se temë tjetër e bisedës ka qënë vakumi i krijuar në Gjykatën Kushtetuese dhe në Gjykatën e Lartë, duke kërkuar paraqitjen e dekreteve sa më shpejt të jetë e mundur. Sipas burimeve mësohet është lakuar fakti që tashmë pas largimit të Topit nga Presidenca është e palejueshme që të ketë vonesa të tjera në plotësimin e vendeve vakante në institucionet kushtetuese.

Njëherësh mësohet se është diskutuar dhe për Kolegjin Zgjehdor që zgjidhet sot me short në Gjykatën e Apelit, si dhe për situatën më të fundit politike në vend, deklaratat dhe kundërdeklaratat për shtetësinë, historinë por dhe integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Shkrimi u publikua sot në gazetën Shqiptarja.com, (print), 7 dhjetor 2012

(ad.ti/shqiptarja.com)