“Shoku Edi Rama do të them një fjalë nga sheshi i historisë, Sheksiri thotë se drama është gracka ku shpirti i mbretit kapet si laraska. Kavaja është gracka ku hoqe maskën, ku shfryve ndaj përmendores së demokracisë. Erdhe në Kavajë, hoqe maskën, tregove veten se je i biri i të atit. Nëse e imagjinon përmendoren e demokracisë copa-copa, mendo edhe veten duke ecur zbathur mbi copa", u shpreh Berisha në mitingun e PD-së në Kavajë.
Ndërsa s’ka lënë pa atakuar edhe kreun e bashkisë së këtij qyteti, duke u shprehur se “Këtij Edvinit të vogël do t’ia them dy fjalë. Bashkë me qytetarët e Kavajës kemi luftuar për të respektuar votën dhe ti do të kishe pasur respektin e kryeministrit dhe deputetit të palëkundur, jo për ty, por për votën. Por ti s’më lejove sepse ngrite akuzat më të tmerrshme të krimit më të shëmtuar ndaj forcës sime politike. Ti u kërkove falje qytetarë të Kavajës por derisa të kërkosh falje çdo shqiptari s’do ta kesh mbështetjen time. Gjithashtu i them Edvinit vogël mos guxo të prekësh monumentin e demokracisë ai do t'i kalojë trashëgimi brezave”.
BERISHA: DO VIJOJME INVESTIMET NE KAVAJE
Duke përmendur arritjet e viteve të fundit, kryeministri i ftoi qytetarët e Kavajës që t’i besojnë kësaj mazhorance një tjetër mandat, për të vijuar me reformat e investimet.
“Së bashku ne firmosën kontratën tonë me BE, NATO, MSA, së bashku ne firmosëm liberalizmin e vizave. Këto vite kanë qenë vite që ju qytetarët firmosët historinë e Shqipërisë europiane. Ne merituam statusin e vendit kandidat, por ky njeri bllokoi tre ligjet. Ato u votuan, dhe do marrim statusin, do hapim negociatat. Kemi ngritur infrastrukture dinjitoze, ia kemi dalë të ndërtojmë 30 mijë km rrugë. Kemi ndërtuar në Kavajë dhjetëra rrugë, shkolla moderne, kemi financuar në ferma, por ata që mohojnë arritjet e 4 viteve, që thonë se s’është bërë asgjë, janë të dëshpëruar. Ata mendojnë se mund të mohojnë suksesin e shndërrimit të Shqipërisë”, tha Berisha.
Kryeministri premtoi në Kavajë ndërtimin e të gjitha rrugëve, në të gjitha fshatrat e rrethit, duke i siguruar banorët se brenda 4 viteve që vijnë do të përfundojë edhe rruga direkte që lidh Kavajën me Tiranën.
“Vij këtu për të shpalosur para jush projektin tonë për 4 vitet që vijnë, projekt që bazohet në liritë tuaja, energjitë tuaja. Për krijimin e 250 mijë vendeve pune, vendosëm të heqim çdo taksë, çdo tarifë doganore mbi çdo makineri, mbi çdo mjet që bizneseve shqiptarë do tu lypset për prodhim në Shqipëri”, u shpreh kreu i PD-së.
Redaksia Online
(r.d/e.s/shqiptarja.com)