Berisha-Topalli në një mendje për 
mandatet, Basha: Jo akt ekstrem!
Berisha lë mandatin?!

Berisha-Topalli në një mendje për <br />mandatet, Basha: Jo akt ekstrem!<br />Berisha lë mandatin?!
TIRANË - Ajo që paralajmëruan dje Sali Berisha dhe Jozefina Topalli se mund të dorëzojnë mandatin e deputetit, ka qenë një nga temat e nxehta të mbledhjes me dyer të mbyllura të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, ditën e martë. Burime pranë PD thanë për “Shqiptarja.com” se ka qenë ish lideri demokrat, Sali Berisha ai i cili ka kërkuar nga grupi parlamentar reagim të fortë kundër rikthimit në Kuvend të Armando Prengës, duke propozuar edhe dorëzimin e mandateve në grup nga të gjithë deputetët.

Propozimi i Berishës është mbështetur menjëherë nga ish kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e cila i ka kërkuar kryetarit demokrat, Lulzim Basha, të marrë një vendim të shpejtë për aksionet e ardhshme të opozitës për të nxjerrë jashtë funksionit Parlamentin, me qëllim përafrimin e zgjedhjeve të parakohshme dhe përgatitjen e tyre nga një qeveri teknike.

Por, vetë lidershipi demokrat, Lulzim Basha, mësohet të jetë shprehur se kjo është një formë ekstreme, ndërsa ka insistuar për një oponencë të fortë parlamentare me nisma konkrete ligjore për të bërë të mundur zbatimin e ligjit të dekriminalizimit dhe largimin e Prengës nga Kuvendi. Pas seancës së djeshme të Kuvendit, ku kërkesa e demokratëve për ndryshimin e ligjit të dekriminalizimit u rrëzua, grupi parlamentar i Partisë Demokratike do të mblidhet sot për të vendosur për raportet me Kuvendin. Zyrtarisht, deputetët Sali Berisha, Jozefina Topalli dhe Arbjola Halimi janë shprehur se do të dorëzojnë mandatin.
 
Berisha        
Ish kryeministri Sali Berisha u shpreh dje se do rishikojë marrëdhëniet me Kuvendin, në shenjë proteste pasi sipas tij, ky institucion është mbushur me kriminelë dhe ligjvënës që vjedhin pasurinë publike përmes familjarëve të tyre. Deputeti demokrat la të hapur mundësinë për të hequr dorë nga mandati i deputetit. “Do rishqyrtoj në themel qëndrimin tim ndaj këtij Parlamenti, që më shumë se çdo gjë tjetër ka hajdutët e shtetit. Te gjitha opsionet janë të hapura. Unë e kam deklaruar dhe një herë në parlament, se unë qëndroj i hapur për çdo opsion në kushtet e këtij parlamenti me shkallën më të lartë të kriminalitetit”, u shpreh Berisha.
 
Topalli
Dorëzimi i mandatit të deputetit është një opsion edhe për ish kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli. “Do të lëshojmë mandatin sepse është e pamundur të rrimë me krimin brenda. Është një situatë e paimagjinueshme, është një krizë parlamentarizmit, një degradim. Është e pamundur të rrinë krimi bashkë dhe njeri normal në vend”, u shpreh Topalli. Ish numri dy i PD, fajësoi kryeministrin Rama për kriminalizimin e Kuvendit.

Lulzim Basha
Gjatë debateve në mbledhjen me dyer të mbyllura të grupit të PD, mësohet se kryetari demokrat e ka cilësuar akt ekstrem dorëzimin e mandateve. Megjithatë, ai është shprehur se vendimi do të merret në vijim

Kërkesat. Demokratët s’tërhiqen nga dekriminalizimi dhe hetimorët
Dy kushtet e Partisë Demokratike për dekriminalizimin dhe komisionet hetimore do të mbeten në fuqi. Edhe pse Kuvendi vendosi dje rrëzimin e dy kërkesave, për të kaluar me procedurë të përshpejtuar amendimin e ligjit të dekriminalizimit dhe ndryshimin e rregullores së funksionimit të komisioneve hetimore, demokratët paralajmërojnë se s’do stepen përballë vendosmërisë së mazhorancës për të mbrojtur të inkriminuarit dhe të korruptuarit. Rikthimin e Armando Prengës në Kuvend, demokratët e quajnë sfidë dhe largimi i tij do të jetë kauza e tyre e re.

Konkretisht, PD kërkon ndryshimin e nenit 2 të ligjit të dekriminalizimit për rastet e përjashtimit nga funksionet shtetërore dhe politike të funksionarëve, në rast se ndaj tyre është zbatuar masa e arrestit në kushtet e flagrancës për krime kundër jetës të kryera me dashje. Një tjetër nismë e depozituar nga PD në Kuvend, është edhe ajo për ndryshimet e rregullores së Komisioneve hetimore. Sipas propozimit të demokratëve, mbledhjet duhet të konsiderohen të vlefshme kur në to marrin pjesë së paku të gjithë anëtarët që i takojnë grupimit politik ku bëjnë pjesë nismëtarët e komisionit.

Strategjia, Basha: Mandatet, grupi ka diskutuar edhe forma më radikale
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, pranoi dje se grupi parlamentar demokrat ka diskutuar dorëzimin e mandateve nga deputetët, pas kthimit të Armando Prengës në Kuvend. I ftuar në emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut, shefi i opozitës u shpreh se grupi parlamentar ka diskutuar edhe forma radikale, por ka qenë ai i cili ka kundërshtuar, duke i dhënë prioritet rrugëzgjidhjes me dialog. “Gjatë tre ditëve të fundit, në mbledhjet e grupit parlamentar ka patur edhe qëndrime shumë më radiale, por unë si shef i opozitës jam i prirur drejt hapave që çojnë drejt zgjidhjes.

Reagimi emocional mund të ishte shumë herë më i fortë, por çështja nuk është te reagimi emocional. Jam i orientuar drejt zgjidhjes dhe qëndrimi i PD ishte në këtë drejtim, jo për shou apo për të bllokuar”, u shpreh Basha. Kreu i PD e quajti vrasës deputetin Armando Prenga, ndërsa u shpreh se rikthimi i tij në Parlament është i papranueshëm. “Kujt i kishte shkuar mendja se një vrasës do vinte serbes në Parlament. Ne çuam aktet në parlament dhe i bëmë edhe publike, për largimin e vrasësit nga Kuvendit”, tha Basha.


Redaksia Online
(E.Ç./shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Ervin Salianji dënohet me 1 vit burg për kallëzim të rremë, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Skënder Minxhozi: Salianji i shpëtoi faqen PD (dhe vetes)

Skënder Minxhozi: Salianji i shpëtoi faqen PD (dhe vetes)