Berisha: Topi partiçkë me 1%
Presidentin e ri e zgjedhim ne

Berisha: Topi partiçkë me 1%<br />Presidentin e ri e zgjedhim ne
TIRANE- Krishtilindjet nuk kanë penguar kryeministrin Sali Berisha për të sulmuar, në mënyrë të përsëritur, presidentin e Republikës Bamir Topi, duke deklaruar se ka shkelur Kushtetutën duke krijuar “partiçka” dhe i kërkon të japë dorëheqjen.Në një intervistë për tv Ora News mbrëmjen e së dielës, më 26 dhjetor, kreu i qeverisë, e quajti të vonuar deklaratën e presidentit Topi se nuk do të kandidojë më për postin e kreut të shtetit.  Berisha akuzon Topin si të implikuar në ngjarjet e 21 janarit, uzurpimin e KLD-së dhe deklaron se Rama u bë pishman për ndryshimet kushtetuese, të 2008. Presidenti i ri do të zgjidhet nga mazhoranca.

TOPI PO KTHEN PRESIDENCËN NË PARTIÇKË
Në një intervistë për tv Ora News mbrëmjen e së dielës, më 26 dhjetor, kreu i qeverisë, e quajti të vonuar deklaratën e presidentit Topi se nuk do të kandidojë më për postin e kreut të shtetit. “Kjo deklaratë vjen pasi 2 javë më parë unë i bëra të qartë se ai nuk do ët jetë më kandidat i shumicës, kështu do të ishte më e mbarë që ajo të vinte 3 javë më parë, por megjithatë më mirë vonë sesa kurrë por nuk bëhet fjalë që ia të ishte kandidati i shumicës. Zoti Topi gjatë presidencës së tij ka ndërmarrë një seri aktesh të papajtueshme , kryekëput me programin e PD-së. Ka shkelur disa nga parimet e mëdha programore të saj dhe faktikisht po kthen institucionin e presidencës në selinë e një partiçke të vogël çka nuk ka ndodhur ndonjëherë në historinë e një vendi” nënvizoi Berisha.

TOPI: SHKELI MIRËBESIMIN
Si kryetar i Partisë Demokratike, akuzoi Topin, dikur numri 2 i kësaj partie, para zgjedhjes si president, se ka kryer një sërë aktesh kryekëput të papajtueshme me programin e PD-së dhe në mënyrë kategorike se nuk do të jetë ai kandidati i shumicës.

“Ai është presidenti i refuzimit, refuzimi që i bëri ligjit të lustracionit. Ky i djathtë që këndonte majtas. Qëndrimi i tij dhe implikimi i tij tek ngjarjet e 21 janarit, dhe një sërë qëndrimesh të tjera në mënyrë absolute pa asnjë bazë, sepse kjo shumicë dhe kjo parti ka dëshmuar ndaj tij vetëm besim dhe mirëbesim.
Ka një moment në qëndrimin e njëriut, ajo që quhet njerëzi. Ka një thelb dhe ajo është mirënjohja, unë nuk ndërtoj asnjë raport mbi bazat personale por ndaj atyre që të morën dhe të vendosën në karrigen më të lartë të shtetit tregove se kishe zero njerëzi”

TOPI ME SPAHIUN PARTI 1 %, TOPI TË JAPË DORËHEQJEN
Berisha shkoi më tej duke akuzuar Topin se në bashkëpunim me nënkryetarin e KLD-së e kanë kthyer institucionin e presidencës në një seli partize të vogël, e cila do të përfundojë së shpejti. “Në këtë kontekst ta lemë në këto muajt që i kanë mbetur, pavarësisht se e ka shndërruar në seli të një partize, ka përcaktuar dhe nënkryetarët dhe e shfrytëzon duke dëmtuar thellë funksionet e kryetarit të shtetit.
Ky është një funksion shumë i rëndësishëm, de fakto dhe de juro në ligjet e vendit. KLD-ja është qeveria e drejtësisë, është institucioni që i emëron dhe i shkarkon dhe të gjitha këto. Është një pushtet që duhet të jetë i pavarur dhe që përjeton sot ditët më të vështira të ekzistencës pasi zotërohet nga një parti e vogël që e dëshmoi veten tek censusi ku mori vetëm 1 %. Janë të mirëpritura edhe 60 parti të tjera por brenda rregullave. Kur individë të caktuar uzurpojnë institucionet kushtetuese pse nuk japin dorëheqjen. Institucioni i Presidentit dhe Këshillit të Lartë të Drejtësisë dua të them. Njeriu i qytetëruar dhe që ka nocionin më elementar të shtetit dhe ligjit nuk mund ti lejojë vetës që nga kreu i KLD-së të kthehet në partiçkë të vogël që morën përgjigjen më shembullore me censusin e këtij vendi. Kjo është një periudhë e shkurtër dhe institucionet do vendosen në kushtetutshmëri të plotë” ka shtuar më tej Berisha.

TOPI PËRGJEGJËS PËR SITUATËN AKTUALE NË DREJTËSI
I pyetur se nëse është presidenti Topi përgjegjës për situatën aktuale të drejtësisë, kryeministri Berisha theksoi: “Unë mendoj se përgjegjësitë për situatën akuale në këtë sistem janë mbi të gjitha të qeverisë së drejtësisë të KLD-së, dhe mendoj se ky institucion sipas dokumentave të pakontestueshme ka përgjegjësi për situatën aktuale në sistemin e drejtësisë. Rasti është i paprecedentë”.

I pyetur se nëse ka pasur tentative për të gjetur një rikthim të paqes mes tij dhe kreut të shtetit Topi, shefi i mazhorancës iu përgjigj: “Nuk bëj luftë me njeri unë jam zyrtar jo luftëtar. Kontakti i fundit me Topin ka qënë në festën e Flamurit dhe të çlirimit. Nuk kam pengesa personale me asnjë njeri”.

NDRYSHIMET KUSHTETUESE, RAMA U BË PISHMAN, PRESIDENTIN E ZGJEDHIM NE
Duke komentuar ndryshimet kushtetuese të kundërshtuara nga Presidenti dhe kreu i opozitës, Berisha tha këto ndryshime u bënë me konsensus të plotë të dy partive dhe kreu i shtetit duhet ta gjente veten në këtë spektër të gjerë. “Ndryshimet kushtetuese kërkojnë 2/3 e parlamentit dhe këto ndryshime u bënë me një konsensus të plotë të dy partive kryesore, nëse Topi nuk e gjente veten në këtë konsensus ai kishte një të drejtë të bënte përjekje për referendum për ta bllokuar këtë proces por në rrafshin personal nëse flasim dy partitë e mëdha as kryeministri dhe as presidenti nuk mund të kenë një zë të veçantë dhe duhet ta respsketojnë vullnetin e mazhorancës kushtetuese e cila ka sovranitetin”

Berisha tha se presidenti i ri do të zgjidhet sipas Kushtetutës, ndërsa kur u pyet për një president konsensual , kryeministri tha: Nëse Rama merr përsipër të votojë kandidatin e mazhorancës unë këtë e vlerësoj. Një dorë e shtrirë nuk kthehet. Unë ju them se presidenti do të zgjidhet në përputhje me Kushtetutën dhe do të jetë kandidat i mazhorancës. Ky vend nuk mund të bëhet nëse nuk konsolidon Kushtetutën e tij. Me z. Rama ramë dakord që presidenti të zgjidhje 70 +1 vota, çka i dha mundësinë Kushtetutës të funksionojë, sepse përndryshe vendi do të shkonte në zgjedhje. Tani kërkohet të rikthehemi të ai varianti grek që e çoi Greqinë në zgjedhje”. Kryeministri shtoi se Rama është bërë “pishman” për ndryshimet në Kushtetutë.

JO LISTAVE TË HAPURA
Ai i quaji të pamundur ndryshimet në Kodin Zgjedhor sa i takon listave të hapura për kandidatët për deputetë. “Është e pamundur. Listat duhet të hartohen me frymë demokratike dhe përzgjedhëse por jo të hapura. Sepse nuk I shërben vendit, Do i jepet mundësia që të fortit dhe parelitë të kenë atë hapësirë që nuk duhet ta kenë as me forcë e as me para”, nënvizoi kryeministri Berisha.

KOMUNIKIMI ME RAMËN ME EMISARËT TANË
Duke u ndalur te marrëdhëniet me Ramën Berisha tha se ai dhe kreu i opozitës kanë komunikim të vazhdueshëm përmes dy njerëzve që i kanë caktuar të bëjnë rolin e “emisarit”.
"Vetëm nga tetori deri në nëntor 2009 unë kam pasur du takime me zotin Rama. Dua të them se komunikimin e ruajmë në mënyrë konstante. Sa herë që e gjykojmë të nevojshëm të komunikojmë ne i kemi kanalet tona të komunikimit. Janë komunikime të besueshme. Nëse unë autorizoj një bashkëpunëtor timin që të flasë me një bashkëpunëtor të Ramës, është e vlefshme” tha Berisha dje në intervistën e gazetarit Patrik Sadikaj.

  • Sondazhi i ditës:

    Listat e deputetëve të hapura në 2/3 dhe jo plotësisht, jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Nuk miratohet rritja e pagave për Kushtetuesen, Xhafaj del nga ‘rreshti’, voton kundër

Nuk miratohet rritja e pagave për Kushtetuesen, Xhafaj del nga ‘rreshti’, voton kundër