TIRANE- Në Ditën e Pavarësisë së SHBA, më 4 korrik, kryeministri Sali Berisha i dërgoi një mesazhi urimi Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama.
 
Në mesazh, Kryeministri Berisha shprehet se mbështetja e SHBA për Shqipërinë dhe shqiptarët është ndjerë në çdo hap të rrugëtimit të vendit në drejtim të reformimit dhe zhvillimit të institucioneve dhe forcimit të demokracisë.
 
“Kam nderin dhe kënaqësinë e veçantë, që, në emër të popullit shqiptar dhe në emrin tim personal, t’ju përcjell Juve dhe nëpërmjet Jush gjithë popullit mik amerikan, urimet më të përzemërta dhe përgëzimet më të sinqerta për Ditën e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, këtë 4 Korrik. Dëshiroj që këtë ditë të shënuar për kombin Tuaj të gjej mundësinë, të theksoj me shumë kënaqësi se marrëdhëniet midis dy vendeve dhe popujve tanë miq, janë më të mira se kurrë. Mbështetja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Shqipërinë dhe shqiptarët është ndjerë në çdo hap të rrugëtimit tonë në drejtim të reformimit dhe zhvillimit të institucioneve dhe forcimit të demokracisë. Falë kësaj mbështetje, ne jemi sot partnerë dhe aleatë të Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut, e cila mëshiron dhe mbron fuqishëm vlerat e shtrenjta të demokracisë. Me këtë rast, më lejoni t’ju siguroj për vendosmërinë e palëkundur dhe vullnetin e plotë të Qeverisë shqiptare, për të zhvilluar më tej këtë bashkëpunim dhe partneritet në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë, në të mirë të paqes, stabilitetit dhe përparimit kudo në botë”, thekson Berisha.
 
Më tej Kryeministri shton se populli shqiptar dhe qeveria shqiptare mbeten thellësisht mirënjohës për ndihmën dhe mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-ve, ndërsa garanton se Shqipëria do të vazhdojë me përkushtim përpjekjet në drejtim të realizimit të të gjithë reformave në përmbushje të objektivave madhore kombëtare të integrimit të plotë në familjen Europiane.
 
“Me të njëjtin përkushtim, Shqipëria do të vazhdojë të kontribuojë aktivisht në integrimin sa më të shpejtë të rajonit ballkanik në strukturat euroatlantike. Duke vlerësuar rolin dhe kontributin e rëndësishëm dhe udhëheqës të SHBA-ve për paqen dhe stabilitetin në rajonin tonë, më lejoni t’ju siguroj se vendi im do të mbetet një partner i vendosur dhe konstruktiv në këtë drejtim”, shkruan Berisha në mesazhin e tij drejtuar presidentit të SHBA, Barack Obama.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)