TIRANË- Kreu i PD, Sali Berisha ka vijuar me sulmet ndaj drejtësisë, duke komentuar nga mbledhja e grupit raportimin e institucioneve të drejtësisë në Kuvend. Berisha vijoi me akuzat e tij se feroma në drejtësi është produkt i Geroge Soros, duke thënë se ajo ka dështuar pasi sot duhen 1200 ditë për për zbardhjen e një vendimi gjykate.

“Sot të dhënat të padiskutueshme faktojnë dështimin e plotë, kolapsin e plotë të atij sistemi që u krijua mbi bazën e reformës së Geroge Soros në këtë vend. Ata të cilët e mbështeten këtë reformën përpiqen tani me shpifje dhe mashtrime dhe forma të ndryshme të mbulojnë dështimin e tmerrshëm, të mbulojnë faktin se ka një vend në planet dhe jo në mars, në të cilin zbardhja e vendimit të gjykatës kërkon 1200 ditë. Ka një vend dhe këtë standard e solli reforma e Geroge Soros e bazuar në një korrupsion të paparë”, tha Berisha.

Berisha nuk mund të linte pa një koment edhe për raportimin e Altin Dumanit në SPAK, duke e quajtur si institucionin më të korruptuar në vend. Madje, Berisha hedh akuza se dosjet në SPAK mbyllen kundrejt ryshfetit, pasi dorëzohet qesja me para.

“Ata që u premtuan shqiptarëve se do bjerë korrupsioni, unë u garantoj se korrupsioni është 3-5 fushuar. SKAP-i i partisë aktualisht është institucioni më i korruptuar në historinë e drejtësisë shqiptare. Dosjet në SKAP mbyllen kundrejt ryshfeteve. Prandaj edhe aty kthehen në turshi ato. Zyrtarët që kanë vjedhur qytetarët, kur u shkojnë dosjet aty i mbyllin përmes ryshfetit. Në dosjet e Lubi Ballukut janë të qarta si kristali mbi 2.2 mld euro, Lubia do merret e pandehur për 1 mln euro ose më pak. Pra, dosjet mbyllen me qese parash. Kjo është një gjë e tmerrshme për këtë vend”, tha Berisha.

Kreu i PD sulmoi Dumanin edhe gjatë raportimit në Kuvend, sapo ai la sallën, duke e quajtur mashtrues ordiner.