BERLIN, 24 shkurt /ATSH-ANA-MPA/ - Sigurinë e tij se Greqia nuk do të dalë nga eurozona, shpreh në një intervistë për revistën ekonomike gjermane "WirtschaftsWoche" presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, i cili ndërkaq, vëren se qeveria e re greke ka bërë gabime dhe se edhe grekët kanë përgjegjësi për krizën.
Kreu i KE-së vë gjithashtu në dukje se "është e kuptueshme se gjithë detyrimet kundrejt partnerëve evropianë dhe ndërkombëtarë të Greqisë duhet të respektohen".
"Kjo duhet të përbëjë bazën për çdo marrëveshje", shton Juncker.
"Kur një kryeministër i ofendon gjermanët dy herë brenda një jave, nuk e konsideroj këtë një trajtë politike të nivelit të lartë, por që çon në ringjalljen e ndjenjave të pakëndshme", thekson Juncker.
"Klima mes Evropës dhe qeverisë greke do të duhet të jetë miqësore dhe të ulet tensioni. Deri në verë do të duhet të jemi në gjendje që të biem dakord me qeverinë greke për një program të ri reformash, me karakter zhvillimor për Greqinë", thekson Juncker./ a.jor.











