BERLIN- Reformat e ndërmarra në Bujqësinë shqiptare për të përshpejtuar procesin e integrimit të saj në BE, kanë qenë në fokus të bisedës që ministri i Bujqësisë Edmond Panariti ka zhvilluar në Berlin me Komisionerin Europian të Bujqësisë, Ciolos dhe homologun grek Tsaftaris. Ministri Panariti u takua me komisionerin Ciolos, gjatë qendrimit të tij në Berlin, në kuadër të Javës së Gjelbër.
 
Ndërkaq, ministri Panariti zhvilloi një takim të veçantë edhe me homologun e tij grek, Athanasios Tsaftaris me të cilin u ra dakord për organizimin e takimeve dhe programeve të përbashkëta të bashkëpunimit në fushën e bujqësisë.
 
Ministri grek i shprehu dëshirën ministrit Panariti për të vizituar Shqipërinë brenda këtij viti.
 
Në këtë Samit, Ministri Panariti kontaktoi me shumë homologë të tij nga vende të ndryshme të botës.
 
Takimet me homologë Ministri Panariti i zhvilloi gjatë panairit “Java e Gjelbër” në Berlin ku u përfaqësuan 70 vende të ndryshme të botës. Pjesëmarrës nga e gjithë bota morën pjesë dhe në forumin për Ushqim dhe Agrikulturë me temë "Fuqizimi i bujqësisë: Shtysë për sigurimin global të ushqimit". Të pranishëm ishin rreth 1400 përfaqësues nga fusha e politikës, ekonomisë, shkencës, bujqësisë, shoqërisë civile, e tjerë.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)