Berlini nuk bllokon ashpërsimin e rregullave të BE për azilin

Berlini nuk bllokon ashpërsimin e rregullave të BE për azilin

Para takimit të ministrave të Brendshëm të BE të enjten, Gjermania dha dritën e gjelbër për rregulloren e re të azilit. Të Gjelbrit ishin kundër Berlinit të cilit kishin kërcënuar me veto. Por Scholz ushtroi autoritetin e tij.

Gjermania pritet të braktisë kundërshtimin e saj ndaj zgjidhjes së propozuar për krizën në politikën evropiane të azilit. Sipas informacioneve nga studioja e ARD, kancelari Olaf Scholz vendosi në mbledhjen e kabinetit që Berlini "as nuk do të ndalojë dhe as bllokojë" reformën e sistemit evropian të azilit në Bruksel. "Frankfurter Allgemeine Zeitung” raporton, duke iu referuar qarqeve qeveritare, se kancelari "ushtroi autoritetin e tij”.

Rregullorja e krizës është pjesë e Sistemit të Përbashkët Evropian të Azilit (GEAS). Kjo rregullore ka qenë objekt polemikash në Gjermani, veçanërisht midis liberalëve të FDP-së dhe të Gjelbërve. Sekretari i Përgjithshëm i FDP-së, Bijan Djir-Sarai e kritikoi ashpër linjën e ndjekur deri tani nga të Gjelbërit. "Qoftë për reformat në nivel europian apo për klasifikimin e vendeve të sigurta të origjinës: në aspektin e politikës së migracionit, të Gjelbrit përfaqësojnë një rrezik për sigurinë e vendit dhe e bëjnë të vështirë, nëpërmjet pozicioneve larg realitetit veprimin koherent të qeverisë dhe zgjidhjet ndërpartiake", tha ai. Opozita e CDU/CSU e kritikoi gjithashtu qeverinë federale për rrezikimin e të gjithë reformës së sistemit GEAS duke e bllokuar atë.

Të Gjelbrit kritikojnë

Ministrja e Jashtme, Annalena Baerbock (të Gjelbërit) tha në platformën X (ish-Twitter) se rregullorja mund të "nxisë transferimin e një numri të madh refugjatësh të paregjistruar në Gjermani". Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme kishte deklaruar sërish në mesditë se rregullorja e krizës nuk mund të miratohej në këtë formë.

FDP, nga ana tjetër, është në favor të projektit - dhe mbështet miratimin e tij. Ministri i Financave dhe lideri i partisë Christian Lindner tha gjatë një sesioni për pyetjet ndaj qeverisë në Bundestag: "Unë jam ndërkohë i bindur se qeveria federale do të miratojë paketën e azilit në nivel evropian". Kjo përfshin një ndryshim themelor paradigme, duke përfshirë mbrojtjen e kufijve të jashtëm të Evropës, thjeshtimin e procedurave të azilit dhe "zhvendosjen e paraqitjes së një kërkese për azil jashtë Bashkimit Evropian". Qeveria federale merr përsipër përgjegjësitë e saj.

Standarde më të ulëta për migrantët

Rregullorja e BE parashikon rregulla të veçanta në rast të presionit veçanërisht të lartë të migracionit. Këto përfshijnë afate më të gjata për regjistrimin e azilkërkuesve në kufijtë e jashtëm dhe mundësinë e uljes së standardeve për strehim dhe kujdes. Rregulla më të rrepta mund të zbatohen edhe për njerëzit nga vendet me shkallë të lartë njohjeje.

Organizata gjermane Pro Asyl e kritikoi një miratim të mundshëm të rregullores. "Do të ishte një dhuratë për mbështetësit e së djathtës ekstreme në Evropë. Sepse ata përcaktojnë qartë agjendën politike të BE", shpjegoi Pro Asyl.

Hungaria, Polonia, Republika Çeke dhe Austria e kundërshtojnë gjithashtu rregulloren, por për një arsye tjetër: ato kërkojnë rregulla të veçanta edhe më të rrepta në rast krize.

Presion, por asnjë marrëveshje në horizont

Ministrat e Brendshëm të BE takohen të enjten (28.09.) në Bruksel për të diskutuar reformën e diskutueshme të BE për azilin. "Kjo përbëhet nga disa pjesë, dhjetë pjesë ligjesh për të qenë të saktë, dhe një nga këto pjesë është rregullimi i krizës," shpjegon Jonas Wixforth nga ARD. Po ta bllokonte Gjermania këtë pjesë, e gjithë reforma e azilit do të vihej në rrezik.

Ministrat janë nën presion sepse pjesë të rëndësishme të reformës janë ngrirë papritur. Javën e kaluar, Parlamenti Evropian pezulloi negociatat për dy projektligje, sepse vendet anëtare të BE nuk kishin arritur deri tani një qëndrim të përbashkët.

Presioni mbi diskutimet është kaq i fortë, mbi të gjitha partitë, sepse BE dëshiron të miratojë reformën e azilit përpara zgjedhjeve evropiane në qershor 2024. Për këtë, afati i Komisionit parashikon përfundimin e negociatave për azilin deri në shkurt 2024. Nga një këndvështrim thjesht formal, një marrëveshje për rregulloren e krizës mund të arrihet edhe jashtë takimeve të ministrave të Brendshëm të BE në Bruksel. /DW

S.S/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?