ROME - “Nuk do të largohem nga vendi, siç u detyrua të vepronte Betino Kraksi. Nuk do të pranoj as t'u dorëzohem shërbimeve sociale si një kriminel që duhet riedukuar. Jam pothuajse 78 vjeç, megjithatë, nëse marrin përsipër përgjegjësinë e dënimit tim, do ta vuaj atë në burg, deklaroi ish-kryeministri italian, Silvio Berluskoni.

Gjatë një interviste me të përditshmen "Libero", Berluskoni u shpreh optimist për verdiktin e Gjykatës së Lartë, transmeton BW.

''Nëse nuk ka paragjykime dhe presion, gjykata do të njohë pafajësinë time'', shtoi ai. Ai tha se impenjimet e tij të shumta në fushën e politikës nuk e lejuan të kishte një rol direkt në vendimmarrjen dhe administrimin e rrjetit mediatik italian Mediaset.

Gjatë intervistës, ai foli edhe për qeverinë e kryesuar nga kryeministri, Enrico Letta. ''Nuk do të jem unë ai që do të rrëzojë qeverinë Letta, por partia e tij. Nëse do të dënohesha, askush nuk do të pranonte koalicion qeverisës me një parti lideri i së cilës është nën arrest dhe përjashtohet nga funksionet publike'', theksoi ai.

Marrë nga Koha Ditore

Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)