Bashkia e Tiranës dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) nënshkruan sot në Londër marrëveshjen e financimit për dyfishimin e kapacitetit të Bovillës, si dhe ndërtimin e një linje të re për furnizimin me ujë të pijshëm të zonës së Unazës së Re, Yzberishtit dhe Kasharit. Tirana është autoriteti i parë lokal që përzgjidhet nga BERZH-i, duke nënshkruar një marrëdhënie direkte bashkëpunimi.
Marrëveshja mundëson dyfishimin e sasisë së filtrimit të ujit, që furnizon qytetarët e Tiranës dhe njëkohësisht, shtrirjen e një rrjeti të ri edhe në zona të cilat, vitet e fundit kanë njohur një zhvillim tepër të madh, pa menduar më parë për urbanizimin.
“ Mezi pres që në këtë paketë të parë të bëjmë dy investime kryesore: Së pari, zgjerimin e kapacitetit të Bovillës, që është sistemi ynë filtrues.
Do dyfishojmë sasinë e ujit që filtrohet për qytetin e Tiranës. Së dyti, ky financim na mundëson një linjë të re magjistrale, nga liqeni i Bovillës direkt në zonën e Unazës së Re, Yzberishtit dhe Kasharit.
Një zonë e cila, kur njerëzit u transferuan aty, furnizohej me ujë pusesh e shumë prej banorëve, të nxitur nga çmimet e lira, morën vendime të shpejta, pa menduar që kjo zonë, tashmë me 80 mijë banorë, nuk mund të përballohet me ujë pusi, siç na tregoi vera e kaluar ”, deklaroi Veliaj.
Pas nënshkrimit të marrëveshjes, kryebashkiaku Veliaj tha se ajo u dedikohet qytetarëve të Tiranës, të cilët janë treguar korrekt me detyrimet ndaj bashkisë.
“ Kemi bërë shumë sakrifica për të ardhur në këtë ditë. Sot jemi qyteti numër një në Shqipëri për korrektesën ndaj pagesave të shtetit, sepse e kemi kuptuar që nëse nuk ndihmojmë në mëkëmbjen e shtetit tonë, të ujit, energjisë, hapësirës sonë publike, jemi ne vetë që e vuajmë të parët ”, tha Veliaj.
Ai falenderoi qytetarët e Tiranës për mbështetjen e vazhdueshme që kanë dhënë për zbatimin e reformave në këtë sektor.“ Falenderoj jo vetëm aksionerët e BERZH-it dhe qeverinë austriake që do të na ndihmojë me një pjesë të grantit, por mbi të gjitha qytetarët e Tiranës, sepse besoj se të shkosh në Evropë, do të thotë të sillesh si evropian. Jam krenar që drejtoj një qytet me 1 milionë evropianë, ku njerëzit kanë kuptuar që pa paguar taksat, pa paguar detyrimet, nuk mund të kemi qytetin e ëndrrave tona ”, shtoi Veliaj.
Drejtori i BERZH-it për Shqipërinë, Matteo Colangeli, vlerësoi faktin që kjo është hera e parë që banka financon një projekt bashkie, pa mbështetjen e buxhetit të shtetit, ndërsa theksoi se investimi do të rrisë kapacitetet dhe standardin e shërbimit të UKT-së.
“ Ky është një projekt shumë i rëndësishëm për ne. Po financojmë investime të rëndësishme për të përmirësuar furnizimin me ujë të Tiranës.
Për herë të parë në Shqipëri, po financojmë një projekt bashkie pa mbështetjen e buxhetit të shtetit. Kjo gjë është e rëndësishme, por me siguri po shikojmë të bashkëpunojmë më shumë me UKT dhe qytetin, për të realizuar më shumë investime dhe për të zbatuar agjendën e qytetit, për ta bërë Tiranën një hapësirë të gjelbër dhe më të qëndrueshme. Ky projekt i rëndësishëm u bë i mundur nga donacionet financiare të Fondit Special të BERZH-it, gjithashtu edhe nga qeveria austriake ”, tha Colangeli.
Ndërkaq, kryebashkiaku Veliaj nënvizoi se pas formalizimit të financimit, Bashkia e Tiranës do të fillojë menjëherë punën për dyfishimin e kapacitetit të Bovillës dhe ndërtimin e rrjetit të ri.
Mezi pres të fillojmë menjëherë nga puna, si për të dyfishuar Bovillën në kapacitet filtrimi, si për të bërë magjistralen, e cila sjell ujë drejtpërdrejt nga Bovilla në një prej zonave më problematike të Tiranës, për t’u siguruar që brenda 5 viteve të mundësojmë ambicjen tonë dhe vendimet e rëndësishme që morëm në Këshillin Bashkiak, për t’i dhënë qytetit ujë 24 orë të pijshëm.
Erion Veliaj - Kryetar i Bashkisë Tiranë
a.m/Shqiptarja.com










