Banka Evropiane per Rindërtim dhe Zhvillim duket se është bindur plotësisht duke miratuar kredinë për Korporatën Elektroenergjitike Shqiptare me vlerë 218 milion euro, me synim ristrukturimin e borxheve.

Lajmin e ka dhënë ministri Damian Gjiknuri, i cili i konsideroi negociatat me BERZH si te vështira. Kjo kredi është nënshkruar që në qershor të 2016, por tani është disbursuar. Banka kishte vene kushte për kryerjen e reformave ligjore dhe rregullatore ne sektorin e  energjisë.

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim njoftoi zyrtarisht plotësimin e të gjitha kushteve nga pala shqiptare për bërjen efektive të Marreveshjes së Kredisë, të lidhur ndërmjet kësaj Banke dhe KESH sh.a., me vlerë 218 milione Euro, e cila u nënshkrua me 30 Qershor 2016 me synim ristrukturimin e borxheve të vjetra.

Plotësimi i kushteve përfshinte kryerjen e reformave të thella ligjore dhe rregullatore në sektorin e energjisë elektrike në funksion të ristrukturimit të kompanive KESH, OST, OSHEE si dhe liberalizimit të tregut dhe krijimit të Bursës Shqiptare të Energjisë.

Pas një negocimi të vështirë, me ndihmën e BERZH u arrit të plotësohej një nga kushtet më kryesore për disbursimin e kësaj kredie, nënshkrimi i Marrëveshjes për Shlyerjen e të gjitha detyrimeve të prapambetura sipas një skeduli të rënë dakord ndërmjet KESH dhe OSHEE.

Marrëveshja për shlyerjen e plotë të të gjitha detyrimeve të prapambetura ndërmjet kompanive të sektorit, arrihet për herë të parë sot, duke bërë të mundur kështu zgjidhjen e një problematike të krijuar dhe trashëguar nga kriza që pësoi sektori energjitik në vitet 2010-2013.

Një falenderim të veçantë për ekspertët e BERZH si dhe stafin e Ministrisë së Financave, KESH, OSHEE dhe OST, për përkushtimin dhe punën e bërë për bërjen efektive të kësaj kredie, e cila jo vetëm përbën një garanci më shumë për stabilitetin financiar të sektorit të energjisë, por sigurisht është një tregues domethënës për ecurinë e mëtejshme të reformave dhe rritjen e investimeve në sektorin e energjisë

Damian Gjiknuri