TIRANE-Ekonomia shqiptare pritet të ndikohet fuqishëm nga situata negative në Greqi dhe Itali këtë vit, si dhe vitin e ardhshëm. Ky është vlerësimi i ekspertëve të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim në raportin e tyre të tranzicionit, që është publikuar dje. Sipas këtij raporti, nga 3.8 për qind që vlerësohet rritja e Prodhimit të Brendshëm Bruto për vitin 2010, këtë vit pritet një ritëm sa gjysma e kësaj shifre: 1.9 për qind. Po kështu, rënie priten në investimet e huaja direkte në vend.
Ndërkohë, raporti parashikon përmirësim të raportit të deficitit buxhetor me PBB-në, i cili duhet të ulet pak, nga 4.2% më 2010, në 3.7 për qind këtë vit. Po kështu, në përmirësim parashikohet edhe bilanci i llogarisë korrente dhe inflacioni. Sipas BERZH-it, qeveria duhet të përfundojë privatizimin e aseteve të mbetura në pronësi
të shtetit shqiptar, ndërkohë që vlerëson si jetik uljen e nivelit të borxhit publik larg nivelit të 60 përqindëshit në raport me Prodhimin e Brendshëm. Parashikohet
gjithashtu që rënia e remitancave të ulë kërkesën e brendshme.
(shqiptarja.com)