Deputeti i Partisë Demokratike, Besart Xhaferri, ka dënuar dhunën e ushtruar ndaj protestuesve kundër resortit në Zvërnec, duke akuzuar policinë për mosveprim në vendngjarje. Në një reagim në Facebook, ai tha se pamjet e publikuara treguan “banditë të veshur me të zeza” që dhunuan dhe rrëmbyen një qytetar në mes të ditës, ndërsa policia, sipas tij, qëndroi spektatore. Xhaferri e cilësoi ngjarjen si një kambanë alarmi për vendin dhe kërkoi dorëheqjen e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita, duke deklaruar se shkarkimet e drejtuesve lokalë nuk mjaftojnë përballë asaj që ai e konsideron një dështim të rëndë institucional.

" Dënoj me ashpërsinë më të madhe dhunën çnjerëzore të ushtruar dje në Zvërnec dhe mos reagimin në flagrancë të policisë në vendngjarje. Ajo që pamë ishte fytyra e vërtetë e një shteti që ka humbur kontrollin mbi rendin dhe ligjin. Një polici që gjen forcë të përballet me protestuesit e opozitës, por që zgjedh të bëhet spektatore kur banditë të veshur me të zeza dhunojnë dhe rrëmbejnë qytetarë në mes të ditës. Rrëmbimi demonstrativ i një qytetari në sy të qytetarëve të tjerë është kambanë alarmi për çdo shqiptar. Ky nuk është më shtet i së drejtës. Ky është normalizim i banditizmit dhe i frikës. Skënder Hitaj nuk mund të fshihet pas shkarkimeve të drejtorëve lokalë. Nëse do të kishte minimumin e përgjegjësisë morale dhe institucionale, akti i vetëm i denjë do të ishte dorëheqja. Sot nuk është më çështja nëse investimi është në tokë private apo publike, nëse është ekologjikisht katastrofë apo ekonomikisht i dobishëm. Të gjitha këto humbasin çdo rëndësi përballë dhunës brutale që dëshmuam dje. Sepse në momentin kur bandat veprojnë të paprekshme dhe policia hesht, Shqipëria pushon së funksionuari si shtet" shkroi ai. 


Lajmi kryesor:

Dhuna e spray me piper ndaj protestuesve në Zvërnec, në pranga roja e sigurisë private, nën hetim 2 të tjerë! Hetim disiplinor edhe zinxhirit komandues të Policisë së Vlorës (VIDEO)