Ditën e sotme Banka Botërore ka prezantuar gjetjet e “Anketës së Drejtësisë 2025”, realizuar në kuadër të programit EU4RuleOfLaë, të financuar nga BE.
Anketa ofron të dhëna të rëndësishme mbi mënyrën se si qytetarët, bizneset, profesionistët e ligjit, gjyqtarët dhe prokurorët e perceptojnë sistemin e drejtësisë në Shqipëri, pas nisjes së reformës në drejtësi.
Sipas gjetjeve të kësaj Ankete, besimi i publikut te institucionet e drejtësisë është rritur ndjeshëm krahasuar me pesë vite më parë, ndërsa efikasiteti mbetet një nga shqetësimet kryesore për qytetarët që ndërveprojnë me gjykatat.
“Besimi i qytetarëve tek gjykatat është dyfishuar ,nga 26% në 53%. Pavarësia institucionale, dimensioni me rritjen më të madhe, ka shënuar +30%. Qytetarët që e shohin reformën me sy pozitiv kanë kaluar nga 34% në 56%, ndërsa ata me perceptim negativ janë ulur nga 38% në vetëm 17%”, thuhej në gjetjet e Anketës.
Ndërkohë ambasadori i BE-së në Shqipëri është shprehur se sfidat e vërteta të Reformës në Drejtësi lidhen me zbatimin, reagimin proaktiv ndaj problemeve, përshtatjen me ndryshimin dhe përmirësimin e vazhdueshëm.
“Sfidat e vërteta të reformës lidhen me zbatimin, reagimin proaktiv ndaj problemeve, përshtatjen me ndryshimin dhe përmirësimin e vazhdueshëm. Prandaj, anketat — dhe çdo mjet që nxit reflektimin dhe përmirësimin — duhet të mirëpriten fuqimisht,” tha Ambasadori Silvio Gonzato.
Lajmi kryesor:
Anketa: Besimi i shqiptarëve te gjykatat u dyfishua në 5 vite! Gonzato: Sfidat e Reformës lidhen me zbatimin! Gogu: Banka Botërore konfirmon përmirësim të ndjeshëm të drejtësisë në vendin tonë











