Besimtarët katolikë kremtojnë sot Pashkët, momenti më i madh në kalendarin liturgjik të Kishës Katolike dhe kishave të tjera të krishtera që shënon ringjalljen e Jezu Krishtit pas kryqëzimit.

Sipas Besëlidhjes së Re, është kremtimi i ringjalljes së Krishtit tri ditë pas kryqëzimit të tij.

Vezët janë simbol i jetës, ndërsa ngjyra e kuqe simbolizon sakrificën e Jezu Krishtit. Gjatë meshës ku kremtohet ngjallja e Krishtit besimtarët i thyejnë vezët me njëri-tjetrin, si për të treguar fitoren e jetës mbi vdekjen.

Sakaq kryeministri Edi Rama dhe kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha kanë uruar besimtarët katolikë për festën e Pashkës.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 10:57
Olta Xhaçka uron nga Kolonja besimtarët katolikë për festën e Pashkës: Paqja qoftë me ju e familjet tuaja

Ministrja e Jashtme Olta Xhaçka ka uruar ditën e sotme besimtarët katolikë për festën e Pashkës.

‘Gëzuar Pashkët nga Kolonja! Paqja qoftë me ju e familjet tuaja!’- shkruan Xhaçka.

 

Ora 09:35
Veliaj uron Pashkët: Të ringjallim tolerancën, dashurinë dhe respektin për njëri-tjetrin

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka uruar besimtarët e krishterë për festën e Pashkës përmes një mesazhi në rrjetet sociale. Ai përcolli urimet e tij për këtë festë të besimtarëve katolikë, duke theksuar se ditë të tilla duhet të shërbejnë për të ringjallur në secilin prej nesh tolerancën, dashurinë dhe respektin për njëri-tjetrin. 

“Gëzuar Pashkën të gjithë besimtarëve katolikë! Ky kremtim, le të ringjallë në secilin prej nesh tolerancën, dashurinë dhe respektin për njëri-tjetrin”, shkruan Veliaj.

 

Ora 08:48
Basha uron besimtarët katolikë: Kremtimi i Pashkëve shënon triumfin mbi të keqen dhe forcën e dashurisë

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka uruar mëngjesit e sotëm të gjithë besimatrët katolikë për festën e Pashkës.

‘Nga zemra ju uroj Gëzuar Pashkët të gjithë besimtarëve katolikë.  Kremtimi i Pashkëve shënon triumfin mbi të keqen dhe forcën e jashtëzakonshme të ringjalljes dhe dashurisë. Sot, kur si asnjëherë më parë jemi në udhëkryq, të gjithë së bashku le të gjejmë forcën për të kapërcyer çdo vështirësi me zemrat e mbushura me besim se aspiratat tona do të bëhen realitet.

Prandaj ju motra e vëllezër që po kaloni vështirësi shëndetësore, nëna dhe baballarë që sot jeni në pamundësi ekonomike, të rinj e të reja që mendoni emigrimin, mbushini zemrat tuaja me shpresë se ditë më të mira po vijnë. Zoti e bekoftë Shqipërinë. Për shumë vjet gëzuar!’- shkruan Basha.

 

Ora 08:47
“Gëzuar Pashkët nga Fieri”, Rama uron besimtarët me foton e veçantë

Kryeministri Edi Rama e ka nisur këtë të diel me një urim për besimtarët katolikë për Ditën e Pashkëve.

Kreu i qeverisë ka postuar në rrjetet sociale një foto të vezëve me ngjyra që janë simbol i Pashkëve, ku uron: “Gëzuar Pashkët nga Fieri”.