TIRANE- Pak javë pasi Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço replikoi për vonesën e emërimeve të magjistratëve të rinj, sot ishte momenti kur ata bënë betimin në mjediset e Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Ceremonia e betimit të 16 magjistratëve të dekretuar nga Presidenti i Republikës në detyrën e gjyqtarit, vjen pas propozimit të bërë nga vetë KLD.
 
Zëvendëskryetari i KLD-së, Elvis Çefa tha se gjyqtarët e rinj duhet të jenë shembull për sistemin e drejtësisë. Çefa kujtoi se ata janë me të gjitha efektet gjyqtarë të Republikës së Shqipërisë dhe shprehu bindjen se do ta justifikojnë besimin e dhënë nga KLD.
 
“Këshilli ka besim tek Ju! Kontributi juaj në ato gjykata ku jeni caktuar të ushtroni detyrën konsiderohet i çmuar”, theksoi ndër të tjera Zëvendëskryetari.
 
Më herët, Ministri i Drejtësisë, gjatë një mbledhjeje të KLD-së, apeloi neglizhencën në emërimet e magjistratëve, duke akuzuar vetë Këshillin e Lartë të Drejtësisë.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)