IRAN- Presidenti i ri iranian, Hassan Rouhani është betuar në emër të Perëndisë dhe përpara popullit iranian për të mbrojtur fenë zyrtare Islamin dhe Kushtetutën e vendit. Ceremonia e betimit e Hassan Rouhanit në Teheran është transmetuar drejtpërdrejtë në televizion.
 
Duke lexuar një tekst edhe në prani të “Kuranit”, presidenti Rouhani është betuar se do t’i shërbejë popullit. Më pas, gjatë një fjalimi që ka mbajtur pasuesi i Ahmadinexhad, ka dashur të theksojë se me zgjedhjen e tij në krye të shtetit, populli iranian i ka hapur rrugën një epoke të madhe.
 
“Unë jam përfaqësuesi i gjithë kombit iranian”, ka thënë Rouhani mes të tjerash, dhe se zgjedhësit kanë votuar për modernizimin duke u distancuar nga ekstremizmi.
 
Ekzistojnë mundësi të mëdha që presidenti të prezantojë që sot edhe kabinetin e ri qeverisës.
 
Presidenti i zgjedhur në qershor ka sqaruar edhe një fakt të rëndësishëm që Irani dëshiron paqe në Lindjen e Mesme.
 
“Irani kërkon paqe ne Lindjen e Mesme”, ka thënë Rouhani në fjalimin e tij në Parlament, pasi ka bërë betimin.
 
Rouhani po ashtu ka konfirmuar se transparenca reciproke është çelësi për të krijuar besim në marrëdhëniet ndërkombëtare.
 
Redaksia Online
(a.k/e.s/shqiptarja.com)