TIRANE - Në një intervistë të shkurtër për gazetën “Shqiptarja.com” kreu i bashkisë së Gramshit Dritan Bici denoncon drejtorin ekonomik në Ministrinë e Mbrojtjes Shkëlqim Berisha, se e ka kërcënuar me pistoletë për disa flamuj elektoral të PD. Ai thotë se ngjarja ka ndodhur përpara komisariatit të policisë dhe se pavarësisht nxjerrjes së pistoletës e shkëmbimit të grushtave mes tyre, ajo nuk ndërhyri për të ndaluar shkelësin e ligjit në kushtet e flagrancës.

Bici tha se partitë kishin rënë dakord ku do viheshin flamujt për pozitën dhe opozitën, por Berisha vuri dhe në anën e PS që solli heqjen e tyre. Gramshi ka disa ditë që gjendet nën terrorin e pushtetit, që paralajmëron dhunën e vjedhjen e votave. Largimet nga puna, kërcënimet dhe shantazhi janë elementët bazë të vënies nën presion, shtuar dhe kërcënimin me marrje jete.
 
Si ndodhi ngjarja që solli dhe acarimin dhe daljen jashtë kontrollit të zyrtarit të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes?
Gjithçka ka nisur për disa flamuj elektorale, të cilët ishin vendosur jashtë dakordësisë së mëparshme mes palëve politike dhe që dhe ne si bashki kemi qënë dakord. Kështu, palët politike dhe me pëlqimin e bashkisë së Gramshit kishin rënë dakord që flamujt e PS dhe të aleatëve të saj të vendoseshin në anën e majtë të bulevardit, kurse ato të PD dhe aleatëve të saj në anën e djathtë të bulevardit të qytetit të Gramshit.

Por gjatë natës, në anën e majtë ku ishte caktuar vendosja e flamujve dhe e posterave të PS dhe aleatëve janë vendosur flamuj të PD. Duke qënë se partitë respektive kishin rënë dakord për këtë mënyrë vendosjeje, atëherë ne kërkuam nga përfaqësuesit e PD të hiqnin vetë flamujt.
 
Çfarë ndodhi më pas...?
Me cilësinë e kryetarit të bashkisë së Gramshit dhe në mbështetje të dakordësisë mes palëve për mënyrën e konfiguracionit elektoral të partive në këtë qytet, urdhërova policinë bashkiake që t’i heqë të gjithë flamujtë e PD të cilët ishin vendosur në anën e majtë të bulevardit të qytetit, pikërisht në anën ku ishte rënë dakord dhe ishin vendosur flamujt e PS dhe të aleatëve të saj.

Në këtë moment ka ardhur Shkëlqim Berisha, një zyrtar i lartë i Ministrisë së Mbrojtjes dhe më saktë, drejtori Ekonomik i kësaj ministrie, i cili është konfrontuar me policinë bashkiake dhe pas ndërhyrjes sime është konfrontuar dhe fizikisht me mua.
 
Ju e keni akuzuar se ai nxori pistoletën. Si qëndron e vërteta?
Ai në fillim është konfrontuar dhe më pas ka nxjerrë pistoletën duke na kërcënuar me jetë. Pasi e kanë mbajtur nga duart, për të mos përdorur pistoletën, më pas zyrtari i lartë i Ministrisë së Mbrojtjes ka qëlluar me grushte ndaj meje, pavarësisht se unë si kryetar i bashkisë i zgjedhur me shumicën e votave të qytetarëve të Gramshit isha në krye të detyrës. Por ai është konfrontuar dhe me të gjithë ata që ishin aty.

Madje ka një javë që ai dhe njerëz të tjerë të armatosur kërcënojnë dhe ushtrojnë terror të Gramsh në emër të mazhorancës së djathtë. Po përdorin të gjitha mënyrat për të vjedhur votën e qytetarëve të kësaj bashkie, ku përdoren të gjitha metodat, që nga përpjekja për vjedhje përmes fletëve të votimit të gatshme, pasi afër 15 qendrave të votimit janë ngritur dhe 15 zyra elektorale të PD, por dhe përmes kërcënimeve me armë, shkarkimeve nga puna të administratës.
 
Kanë ndodhur shkarkime në administratë këto ditë...?
Pa diskutim, janë shumë. Drejtori i arsimit e ai i shëndetësisë janë përfshirë në fushatën e presionit përmes vendeve të punës dhe bukës së gojës ndaj punonjësve të arsimit e të shëndetësisë, mësuesve, edukatoreve, infermierëve etj. Pra dhe këtu në Gramsh, pavarësisht se dihet se është votues i majtë dhe e djathta s’ka asnjë shans për fitore tentohet të vidhet vota me të gjitha mënyrat e mundshme që nga tjetërsimi e deri te kërcënimi me jetë.
 
Incidentin me drejtorin e Ministrisë së Mbrojtjes, i cili ju kërcënoi me pistoletë e keni denoncuar në polici....?
Ngjarja ndodhi përpara komisariatit të Gramshit dhe nuk kishte nevojë për denoncim, pasi policia duhej ta arrestonte në vend në kushtet e flagrancës, me pistoletë në dorë duke kërcënuar kreun e bashkisë dhe njerëzit. Por policia ndërhyri vetëm kur reaguan një masë e madhe njerëzish dhe drejtori i Ministrisë së Mbrojtjes Shkëlqim Berisha u gjen në pozitë të vështirë, duke e marrë dhe strehuar në komisariatin e Gramshit.

Më pas e kanë përcjellë nën masa të rrepta shoqërimi dhe sigurie për në Tiranë. Unë bëj thirrje dhe në drejtim të PS e opozitës që ky problem të vlerësohet realisht pasi kur arrijnë ta bëjnë në Gramsh që është zonë tërësisht e majtë, imagjino çfarë janë në gjendje të bëjnë diku tjetër.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 30.05.2013
 
Redkasi Online
(b.m/shqiptarja.com)