Me moton e tij “ America is back” presidenti i zgjedhur Joe Biden deklaroi se ka ardhur koha që vendi të kthehej në pozitën ku ndodhej para 4 viteve dhe të mbyllë kapitullin” Amerika e Para”, politikë e udhëhequr nga Trump.
Deklarata u dha nga Biden së bashku me zv/presidenten Kamala Harris gjatë prezantimin të 6 zyrtarëve të cilët pritet të marrin detyrat më të rëndësishme gjatë qeverisjes 4-vjeçare të Biden.
Joe Biden në fjalën e tij theksoi se qëllimi i tij është rivendosja e të gjitha marrëdhënieve të cënuara gjatë administratës së Trump dhe forcimin e marrëdhënieve me aleatët.
“Njihuni me ekipin tim. Ata mishërojnë bindjet e mia thelbësore se Amerika është më e forta kur punon me aleatët e saj. Është një ekip që do ta mbajë vendin dhe njerëzit tanë të sigurt është një ekip që pasqyron faktin se Amerika është kthyer, e gatshme për të udhëhequr botën, jo për t'u larguar prej saj. Edhe një herë, jemi gati të përballemi me kundërshtarët tanë dhe të mos refuzojë aleatët tanë ", tha Biden.
Individët e zgjedhur për poste të larta, sidomos sekretari i ardhshëm i shtetit, Antony Blinken, kanë një botëkuptim globalist, të ndryshëm nga administrata Trump dhe
Blinken, në fjalën e tij theksoi se është e rëndësishme që të forcohet raporti me Evropën dhe e vuri theksin tek bashkëpunimi.
Përveç Blinken, ekipi i Biden përfshin Jake Sullivan si këshilltar të sigurisë kombëtare, Linda Thomas-Greenfield si ambasadore e SHBA në Kombet e Bashkuara e cila në fjalën e saj tha se Amerika Multilateralizmi Diplomacia janë kthyer. John Kerry rikthehet si i dërguari i posaçëm për çështjet klimatike. Avril Haines, pritet të jetë në krye të inteligjencës Kombëtare.
Biden përzgjodhi gjithashtu Alejandro Mayorkas për të kryesuar Departamentin e Sigurisë Kombëtare dhe Janet Yellen, ish kryetare e Rezervës Federale pritet të emërohet si Sekretare e Thesarit.
Zyrtarët e përzgjedhur, shumica e të cilëve do të kërkojnë konfirmimin e Senatit, u prezantuan në një aktivitet të organizuar për këtë qëllim në Uilmington të shtetit Delauer.
Ndërkohë që nga e hëna ka filluar edhe procesi i tranzicionit të pushtetit, të cilin megjithëse Biden e quajti të avashtë e konsideroi pozitiv faktin që ka filluar, duke rikujtuar edhe njëherë se ka 2 muaj para se ai të drejtojë vendin nga Zyra Ovale.